E Shtunë, 31 Tetor 2026

Moisiu: Gërdeci, peng i politikës

Ish-presidenti i vendit, Alfred Moisiu, i ka bërë dje akuza të forta qeverisë "Berisha" për ngjarjen e Gërdecit. "Tragjedia e 15 marsit në Gërdec, është peng i politikës", u shpreh ish-kreu i vendit, Alfred Moisiu, gjatë fjalës së tij të mbajtur në forumin politik demokristian. Në fjalën e tij, ish-presidenti Moisiu u tregua i ashpër në gjykimin që ai i ka bërë punës së qeverisë "Berisha" sidomos për tragjedinë e Gërdecit që sipas tij ka goditur jo vetëm Vorën, por edhe kabinetin qeveritar. Moisiu u shpreh se "qeveria prangos disa kapterë të korrupsionit, por jo gjeneralët e tij". Sipas ish-numrit një të vendit, strukturat tona shtetërore vazhdojnë të tregojnë vështirësi dhe vazhdojnë të merren me rreshterët dhe jo me gjeneralët e korrupsionit. "Shembulli i fundit i Gërdecit, gjithnjë e më shumë po tregon se politika më shumë pengon sesa ndikon në nxjerrjen e përgjegjësive direkte për këtë korrupsion të padëgjuar shtetëror", tha Moisiu. Ish-presidenti shpreh dyshim të plotë për gjithçka mbi atë që ndodhi më 15 mars. Sipas tij, "e gjithë ajo që ndodhte në atë fabrikë ishte e përputhur me vendime dhe ligje dhe pastaj thuhet se nuk dimë asgjë. Këtu ka vend për dyshim". Duke u ndalur te marrja e ftesës për anëtarësim në NATO, ish-presidenti Moisiu theksoi se "kjo është një arritje me vlera vërtet të jashtëzakonshme, por që kërkon të trajtohet si e tillë dhe në ditët që vijnë pas marrjes së kësaj ftese, pra, në jetën e përditshme politike dhe institucionale". "Vendet edhe shtetet mike në NATO, si SHBA, Gjermania, Britania, po ashtu Italia dhe Franca, na mbështetën duke besuar se ne do të nxjerrim mësimet e duhura dhe ftesën e anëtarësimit do ta lexojmë ashtu sikurse duhet, si një moment reflektimi dhe ndryshimi të formave dhe mjeteve të të bërit politikë dhe zhvillim të demokracisë", tha ai. Sipas Moisiut, ne kemi përpara një sërë sfidash të rëndësishme, sikurse janë reforma zgjedhore, reforma integrale në sistemin e drejtësisë, reformat ekonomike, por dhe sfidat ndaj korrupsionit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›