Gjysmë plus gjysmë = më pak se gjysmë
Do ta kisha harruar shpejt atë “Pse jo?”, nëse këtë strukturë të çuditshme nuk do ta dëgjoja e ta shihja të shkruar në vijimësi me një shpeshtësi të frikshme. Ajo duket se rritet përditë me progresion gjeometrik, jo vetëm nga njerëzit e thjeshtë në komunikimin e përditshëm, por më së shumti nga personazhe që shfaqen në ekrane televizive, të cilët kanë, mes shumë funksionesh, edhe atë të përçimit të një gjuhe të pastër e korrekte tek konsumuesit e produktit të tyre mediatik.
Shmangia e një përgjigjeje të drejtpërdrejtë mund të bëhet për shumë arsye, nga të cilat po përmend: nevojën për t’i rrëshqitur përgjegjësisë direkte; nënvleftësimin për pozicionin e personit që i drejtohet kumti; mosmarrjen e gjërave me seriozitetin e duhur; fshehjen pas amullisë së dyshimit; ruajtja e skajshme e neutralitetit; ndrydhje personaliteti deri në depersonalizim, ku çdo lloj pozicionimi - për mirë a për keq - shihet si i rrezikshëm. Por ka edhe shkaqe të tjera që ushqejnë hibride bastarde gjuhësore.
Skemat dhe modelet qeverisëse të aplikuara te ne, të infektuara prej një lloj antikulture të hershme ballkaniko-shqiptare, ku më i madhi e shtyp më të voglin, të cilat reflektohen nga drejtuesit më të lartë të administratës te vartësit e tyre, dhe më tej prej pritësve te nivelet më të poshtme hierarkike, pa harruar edhe refleksionet e tyre në rrethet e ngushta familjare apo shoqërore ku nëpunësit bëjnë pjesë, janë faktorë mbizotërues në ndrydhjen e personalitetit të individit dhe të vetë shoqërisë.
Altin HAXHINASTO
1.
Pak vjet më parë, nëpërmjet një sms-je, pyeta një funksionar të sapoemëruar në një institucion kulturor nëse ishte e mundur të takoheshim për të diskutuar mbi një problem pune. Përgjigjja e tij më erdhi po me sms dhe kishte këtë përmbajtje: “Pse jo?”
Në çastin e parë pata përshtypjen se përgjigjja ishte negative, pasi dy pjesët e ligjëratës: njëra përemër pyetës, që rëndom përdoret për të pyetur në lidhje me shkakun apo arsyen e diçkaje, dhe tjetra një pjesëz mohore, që s’lë shteg për të vijuar më tej, të marra veçmas nuk hapnin asnjë dritë jeshile. Në gjuhën shqipe ekzistojnë struktura, ku mohimi i mohimit nuk sjell pohim (siç ndodh në shumë gjuhë të tjera), por rezultati mbetet brenda mohimit, si për shembull: as... nuk..., asnjë... s’... etj.
U përpoqa të kapja kumtin e asaj, që më kishte shkruar njeriu në fjalë, duke marrë në konsideratë se formimi filologjik i tij ishte i admirueshëm dhe përdorimi i formave jo klasike të të shprehurit duhej të kishte brenda të ashtuquajturin organizim dytësor të gjuhës.
Megjithatë, nuk gjeta asnjë arsye të mjaftueshme përse nuk më kishte shkruar një “po” apo një “jo” të qartë, duke i ardhur rrotull përgjigjes me këtë sajesë. E pashë të udhës ta konsideroja përgjigjen si një mënyrë “elegante” për ta pranuar kërkesën për takim pa ndonjë entuziazëm të veçantë, ndonëse në rastin konkret nuk kishim mohim të mohimit, por ngrihej dyshimi mbi të kundërtën e asaj që kërkohej.
2.
Do ta kisha harruar shpejt faktin që përmenda, nëse këtë strukturë të çuditshme nuk do ta dëgjoja e ta shihja të shkruar në vijimësi me një shpeshtësi të frikshme. Ajo duket se rritet përditë me progresion gjeometrik, jo vetëm nga njerëzit e thjeshtë në komunikimin e përditshëm, por më së shumti nga personazhe që shfaqen në ekrane televizive, të cilët kanë, mes shumë funksionesh, edhe atë të përçimit të një gjuhe të pastër e korrekte tek konsumuesit e produktit të tyre mediatik.
Sot vë re se kjo shprehje ka fituar një polisemi të gjerë, duke shënuar jo vetëm pohimin, që normalisht e kryen pjesëza “po”, por po përdoret për të zëvendësuar në ligjërim pjesë të tjera, që nga ndajfoljet, si: sigurisht, natyrisht, patjetër, gjithsesi etj., dhe deri folje që tregojnë veprim: e bëjmë, e kryejm, etj.
Gjuha konsiderohet si dukuri shoqërore. Ajo është një materie e veçantë, që evoluon bashkë me shoqërinë dhe shpreh tendencat e zhvillimit të vetë shoqërisë,e cila e përdor atë. Nëse fjalë, shprehje, kuptime apo struktura të reja hyjnë në qarkullim, është mëse normale të kërkosh jashtëgjuhësisht faktorët shoqërorë, që e kanë nxitur këtë lloj “mutacioni” linguistik.
Këtë po përpiqem të bëj edhe unë, të gjej një arsye, rrënjët i së cilës janë në transformimet psikike të individëve të parë si pjesë të së tërës, domethënë të shoqërisë, për të kuptuar se si e fitoi kaq shpejt qytetarinë gjuhësore një shprehje si “pse jo”-ja.
3.
Dikush mund të pyesë: Çfarë ka që s’shkon me këtë strukturë? Përse nuk u dashka përdorur? Këtë strukturë e kemi dëgjuar edhe në gjuhë të tjera (Why not? Perche no? etj.) Pse jo në shqip?
Po përsëris me pak fjalë një substancë teorike, që tashmë tekstet përkatëse e qartësojnë plotësisht. Gjuha ka dy klasa fjalësh, e para përfshin ato shënuese (që shënojnë një nocion, si emrat, mbiemrat, foljet, numërorët e ndajfoljet) dhe e dyta fjalët shërbyese (parafjalët, lidhëzat, nyjet). Midis këtyre dy klasave, si një kthinë që anon më shumë nga fjalët shërbyese sesa nga ato shënuese qëndron përemri, pasi shënimi i nocionit prej tij është i mangët, krahasuar me pjesët e tjera të ligjëratës që përmenda më sipër, çka dallohet edhe nga emërtimi i tij (për + emër, pra i përdorur në vend të emrit).
Në rastin konkret, kemi dy fjalë shërbyese (pasi asnjëra nuk tregon nocion; maksimalisht, mund të flasim për nocion të marrëdhënies, nëse i referohemi disa gjuhëtarëve formalistë): një përemër pyetës dhe një pjesëz mohuese, të cilët, në hierarkinë gjuhësore, krahasuar me fjalët shënuese - nëse mund të përdor një metaforë të thjeshtë - kanë rolin e llaçit që lidh tullat. E thënë ndryshe, kemi dy gjysma nocionesh, të cilat vihen në bashkëlidhje me njëra-tjetrën, për të treguar më pak se ç'tregon veç e veç secila prej pjesëve. E them këtë pasi një “po” e drejtpërdrejtë dhe e mëvetësishme ka vlerën e një fjalie, gjë që mund ta themi edhe për “jo”-në e mëvetësishme (shih Fjalori i Shqipes së Sotme, Tiranë, 2002), shumëfish më tepër se një “pse jo”, që rrotullohet e përdridhet si e përdalë, jo vetëm për faktin se ekonomia e fjalës në rastin e parë është respektuar e në të dytin jo, por sepse ngritja e dyshimit mbi të kundërtën e asaj që duhet pohuar, për vetë pozicionin që merr kumtuesi, e vendos atë në pozitën e pasigurt të personit që nuk ka këllqe ta thotë me gojën plot vendimin që merr për një problem, i vogël a i madh qoftë ai.
Shmangia e një përgjigjeje të drejtpërdrejtë mund të bëhet për shumë arsye, nga të cilat po përmend: nevojën për t’i rrëshqitur përgjegjësisë direkte; nënvleftësimin për pozicionin e personit që i drejtohet kumti; mosmarrjen e gjërave me seriozitetin e duhur; fshehjen pas amullisë së dyshimit; ruajtja e skajshme e neutralitetit; ndrydhje personaliteti deri në depersonalizim, ku çdo lloj pozicionimi - për mirë a për keq - shihet si i rrezikshëm. Mund ta zgjatja edhe më tej renditjen e arsyeve të mundshme, që ushqejnë hibride bastarde gjuhësore, si puna e dy-këmbë-cungsheve “pse jo” e, ndoshta, këtë mund ta bëjnë edhe specialistë të fushës së psikologjisë, që merren me fenomene psiko-sociale, të cilëve mund t’u interesojë ky fakt.
4.
Sidoqoftë, ndjeshmëritë e mia për fenomenet shoqërore më bëjnë të mendoj se skemat dhe modelet qeverisëse të aplikuara te ne, të infektuara prej një lloj antikulture të hershme ballkaniko-shqiptare, ku më i madhi e shtyp më të voglin, të cilat reflektohen nga drejtuesit më të lartë të administratës te vartësit e tyre, dhe më tej prej pritësve te nivelet më të poshtme hierarkike, pa harruar të fusim këtu edhe refleksionet e tyre në rrethet e ngushta familjare apo shoqërore ku nëpunësit bëjnë pjesë, janë faktorë mbizotërues në ndrydhjen e personalitetit të individit dhe të vetë shoqërisë.
Shqipëria ka njohur stile qeverisjeje skajshmërisht të ndryshme.
Njëra prej tyre, e ndërtuar si skemë që ka të bëjë me delegimin pa kriter të kompetencave ligjore te vartësit, në piramidën e ekzekutivit, sillte apatizëm organizativ dhe rrumpallhane funksionale, po ashtu shkrehje pune edhe te vartësit dhe mungesë rentabiliteti. Skema tjetër, më e afërt në kohë, krejt e kundërt me të parën, na tregon për drejtues autoritarë, nëpër dorën e të cilëve kalojnë që nga vendimet e qeverisë e projekt-ligjet, deri te shkresurinat e informacionet e dorës së dytë e të tretë, të cilat, përveçse shterin energjitë që duhen fokusuar në problematikën dhe funksionet e detyrës, frenojnë artificialisht edhe dhënien e zgjidhjeve të shpejta për probleme relativisht të vogla, të cilat duhet të menaxhohen prej atyre që kanë kompetencë ligjore për këtë qëllim, pa pritur për gjithçka miratimin “nga lart”. Edhe në këtë rast, mungesa e rentabilitetit është e dukshme.
5.
Mungesa e rentabilitetit, apo performanca e ulët produktive, sado që kanë shfaqje të ndryshme, japin pasoja të ngjashme, të cilat herë zbulohen e herë të tjera duhen mbuluar prej prodhuesve të tyre.
Vartësi shihet si mjet, si objekt e jo si subjekt, i cili është lehtësisht i konsumueshëm. Nëse produkti i tij është me vlerë, vlera i kalon menjëherë si bonus eprorit, duke e lënë prodhuesin e vërtetë anonim. Nëse produkti është kallp apo i dëmshëm, fatin e produktit e merr edhe vartësi fatkeq.
Kjo ndjenjë konstante e të qenit prodhues i produkteve “skarco” edhe atëherë, kur ndodh që prodhon gjëra të vlera, kushtëzon jo vetëm mënyrën e të menduarit dhe të sjelljes së kësaj kategorie individësh, por natyrisht edhe të folurën e tyre. Gjuha mbarset me shprehje shterpe, ku kumti humbet në forma e struktura amorfe, të cilat mund të konsiderohen, sipas etaloneve të vlerësimit të bartësve të tyre, si e keqja më e vogël apo më pak e rrezikshme. Nevoja për t’u fshehur pas gishtit (jo atij që kryen një funksion), mungesa e protagonizmit dhe e burrërisë për të marrë mbi vete pasojat e veprimeve të kryera me vullnet të lirë e të plotë, gjeneron edhe produkte gjuhësore të mjera nga pikëpamja kuptimore dhe strukturore.
Mjerë shqipja, nëse do dominojnë në evolucionin e saj tendencat psiko-terrorizuese të asmishëve dhe aspeshkëve, individëve frigaçë.
9 Qershor 2008