Prometeu i përsëritur
Visar ZHITI
1.
E arrestuan pasditen e një të shtune, që do të futej në kujtimet e tij si “e fundit e një epoke”, ndërsa zbriste nga autobusi qytetës në qendër, ku dritat ishin ndezur më herët, me parandjenjën se do t’i mungonin gjatë, shumë gjatë, s’dihej se sa. E veçuan nga turma e rastësishme në anë të bulevardit dhe i vunë prangat, pa i thënë asgjë. Mes dy policëve që e mbanin nga krahët, grupi i arrestimit, gazmor si ata që dalin nga stadiumi pas një ndeshjeje të fituar, e dorëzoi në komisariat.
Rrugëtimi i kobshëm për të ardhur deri këtu, në qeli, iu përsërit prapë dhe ai po e shikonte, po ku, në mendje apo në murin që dallgëzonte? Ndërkohë, ata s’ecnin dhe rruga s’kishte të mbaruar dhe u rrëshqiste me ofshama nën këmbët plot ngërç. Njerëzia përreth s’guxonin të kthenin kryet dhe mirë ishte të mos shihte asnjë të njohur, jo, le ta shihnin, mbase ndonjëri lajmëronte në shtëpi. Po të gjithë sot kishin një fytyrë rrëshqitëse, njëlloj të paqartë dhe, pa mbaruar njëra, niste tjetra mbi të, e stërzgjeruar dhe si me nikel. Rruga më në fund u ngrit nga poshtë dhe ia mbushi gojën. Ai po gëlltiste rrugë që s’mbaronte, si një ankth i rrjepur. Dhe nuk mbërrinin asgjëkundi.
Nuk po qetësohej dot. Si shihte trokëllima këpucësh ushtarake në ajër, vetëm trokëllimat, si mori vrimash të ndryshkura të gozhdëve të shkulura nga bota. Më në fund, arriti të pyeste veten: pse e kishin arrestuar?
Ndjeu të ftohtë dhe i erdhi mirë që dyshemeja ishte prej dërrase. Dhe u shtri duke qenë njëkohësisht më këmbë. Po i shikonte të dyja gjendjet e vetes. Pastaj dhe një të tretë, atë të të qenit pezull mes qelisë, afër tavanit që afrohej rëndshëm. Po të ulërinte që tani, e zuri frika se ç’mbetej të bënte më pas. Ta lëmë ulërimën për më vonë. Kur është më vonë këtu? S’ka më pastaj, tani, koha s’ekziston. Ja, pjata plastike është bosh, s’ka as supë, as kohë brenda saj.
2.
Dera u hap me një kuitje të hekurt. Polici s’i tha fare se ku do të shkonin, as nuk ia përsëriti që je i arrestuar, mirë do të ishte t’ia thoshte prapë, komunikim është, por ai e di rregulloren e qelive më mirë se kushdo në kryeqytet.
Dhe tryeza, dhe karrigia e hetuesisë ishin të mbërthyera me ganxha të holla te këmbët, si me pranga, jo, si kthetra, që të mos i shkulje dot e t’i bije në kokë... jo, jo, që hetuesi, kur të nevrikoset, të mos ia hedhë dot të pandehurit mbi fytyrën e ta shëmtojë, ta bëjë me gjak e vurrata të zeza.
Sidoqoftë, hetuesi nuk i tha “ulu”, meqënëse ishte karrigia e shkretë, e as urdhëroi t’ia hiqnin prangat, meqenëse do të bisedonin, sipas tij gjithmonë. E pse u quajtka zyrë hetuesie kjo, qeli është si të gjitha! Dhe hetuesi se mos është i lirë, brenda është edhe ai. Ja që del pastaj, kurse unë shkoj në qelinë e mëparshme. Më keq për atë. Se mësohet me ndryshimin dhe s’i duket më ndryshim. E ndoshta kur del, vetëm e urdhërojnë, kurse këtu urdhëron ai e liria është urdhër në fund të fundit. Ta thuash dhe ta zbatosh...
- Ku e ke mendjen? - pyeti hetuesi.
Njeriu nuk u përgjigj.
- E kuptove akuzën?
- Ma thuaj edhe një herë.
- Pse?
- Ta dëgjoj. (Mbush dhe kohën kështu...)
Hetuesi u skërmit. Buzëqeshi si xhind.
- Je marrë me zjarrin.
Iu bë se dëgjoi një zë jo të këtushëm, në moskohë, se ke sharë... kë? D.m.th. kërrkënd. Ose të gjithë. Dhe... ke bërë kontrabandë shkrepësesh e qirinjsh, të është zbul. Se ke përvet. Energj. Elektr...ike, ke prish, apart. Mat. , ke... drutë e zjarrrit... jaa... rrr...it. ǒtë duheshin ty mitingj. Opozit. Ishit kundër regjimit ju, e ndryshuat, por s’e ndryshoni dot dhunën, jo... E kemi në dorë ne...
Po e pranove akuzën, do të kesh lehtësira. Na ndihmo, se kemi shumë... tranzicion, nuk tha armiq, jo...
(tra...n’zi..., ah... r...mik)
3.
Gjyqi u zhvilluan në dimër në kinemanë “Prometeu”, në qendër të kryeqytetit, me spektatorë të çinteresuar në fillim të spektaklit, gati të hareshëm më pas, madje përplasën duart kur u dha dënimi, të cilin i pandehuri nuk e kuptoi, ndoshta ngaqë gjindja do të këndonte në kor një këngë tejet moderne. Të frikshme.
Të dënuarin e morën dhe e çuan në bulevardin e madh, atje në anë, ku i kishin hedhur hekurat në një të shtunë të dikurshme, të fundit të asaj epoke – të tijën apo të të tjerëve? – s’kishte rëndësi më, gjithsesi të largët, sa yjet.
Në një nga shtyllat me mermer të zhvatur të Pallatit të Kulturës e lidhën. Dhe s’dihej sa do ta linin kështu. Ai u kujtua që nuk e kishte kuptuar si e qysh e kishin dënuar dhe sa (h!). Pa dritat, që u ndezën me përpëlitje, pra s’ishte e vërtetë që do t’i mungonin kaq gjatë. Dhe aq keq s’është këtu, mendoi, do të lexoj reklamat e parullat përreth.
Me shkronjat e tyre të përflakura do të sajonte në ajër fjalë të tjera, të tjera ide. Do të këqyrte autobusin qytetës, njerëzit që do të zbrisnin në stacionin e qendrës, rrëmujën prekëse të kalimtarëve, gratë, minifundet e zeza, mbase do të shikonte ndonjë të shquar, artist, veturat qeveritare, në ndonjërën edhe mund të jetë gjykatësi i tij, ata që e dënuan. Dhe s’ndjeu urrejtje për ta, madje, kur u përplasën dy vetura ca kohë më vonë, nuk dëshiroi që brenda tyre të ishte ndonjëri nga ata. Erdhi makina e ndihmës së shpejtë.
4.
Dhe, si çdo ditë, zbriti edhe polici me qenin e zi, të shëmtuar e metalik, sikur të ishte prodhuar në fabrika të vjetra armësh. Ndaluan pranë tij. Polici hoqi thurimën prej teli nga goja e qenit dhe i bëri shenjat nxitëse. Dhëmbët zbardhëllyen kafshueshëm. Kafsha iu vërsul këmbëve të të dënuarit, çapleu ç’mundi, dhe gjaku sikur e xhindosi edhe më. Nofulla e poshtme iu mbush me copa pantallonash të përziera me copa mishi. Dhembja nuk durohej dot. Shtyllat e Pallatit të Kulturës shtrembëroheshin dhe lëkundej gjithçka. Sheshi përballë përmbysej dhe katastrofa e ngrehinave zbardhej e bëhej një asgjë e pafundme, pelte e thatë.
Pastaj vinte qullja. Polici i hidhte ujë turinjve nga shishet plastike që ia sillte kamerieri i lokalit të Operas, aty pranë. Pastaj i jepte diçka për ta përtypur, ia linte edhe pranë, por pa e zgjidhur. Jo ushqim të skaduar, nuk lejohej. Nuk duhej të vdiste, se njeriu qe dënuar të jetonte.
Kishte dhe tortura të tjera më të lehta, madje zbavitëse, p.sh. shuarja e dritave për të gjithë qytetin, errësirë e plotë dhe atij i dukej sikur kishte rënë në fund të një himnere. Të nesërmen e torturonin kalimtarët e rastësishëm, duke i thënë njëri-tjetrit se s’kanë ujë nëpër shtëpi, dhe atij i shtohej etja shkretëtirshëm. Plagët i digjnin. Dhe ashtu mes dremitjes së një pjese të vetes, kur donte të mos merrte frymë dhe të vdiste pjesën tjetër të mbetur, e zgjonin me mitingje në sheshin përballë, lloj tjetër torture kjo, ku oratorët ulërinin se duhej përmbysur situata, njeriu mbi të gjitha, i ri, pluralist... drejtësi, tranzicion pa burgje... dhe dënimi duhej të ishte ndryshe. Sytë mund t’i mbyllte për të mos i parë dhe i fanitej shqiponja e zezë, me krahë të prerë, me katër këmbët e mbështjella me tel me gjemba ashtu si dhe turiri, që i afrohej gjithë lehje metalike.
Pastaj kalohej në torturën e mbrëmjes: njerëzit shëtisnin pranë tij lirshëm, lejohej të kthenin edhe kokat, madje dhe të jepnin mendime, jo pse u shkel ligji, me zjarrin nuk luhet - thotë populli, prometeizmi i demokracisë sonë, vlerat si torturë dhe torturat si vlerë etj., etj. Një ditë tjetër ia ndërruan torturën, e futën në Opera, e detyruan të shihte art, që vërtet ishte krijuar nën diktaturë, por kishte rivënie të re në skenë, moderne, demokratike e kubiste, edhe pse regjisori dhe aktorët ishin po ata, por libreti qe përpunuar, pa ia humbur pavdekësinë. Kur e futën te dyert, duke e shtyrë paksa që të mos kuptohej, i bëri përshtypje njeriu i dobët që priste biletat, sesi e pa, pikëllueshëm, mbahu, i tha, edhe unë kam qenë në burg, jam i persekutuar politik. Dëgjo, te llozha kryesore do të jetë Presidenti, mundohu të të shohë, në mos ty, prangat, afroju, se mbase kujtohet për ndonjë amnisti.
Pusho ti, thirri polici, s’paske vënë mend, na dashke dhe dëmshpërblim.
* * *
Më së fundi dhe një protestë me shkrim. Dy prostituta të kthyera nga Europa, ende të veshura me minifundin e punës, në qendër të kryeqytetit mblidhnin firma të kalimtarëve, një pjesë e të cilëve thonin duke u gajsur se kishin harruar si ta bënin, nuk u duhej më, kurse shumë të tjerë ishin analfabetë dhe vinin veç gishtin e lyer me bojë. Protesat në fjalë iu dërgua forumeve dhe institucioneve më të rëndësishme ndërkombëtare në mbrojtje të një qeni, që po keqtrajtohej duk e detyruar me polic kafshën e gjorë të hante çdo ditë mish të gjallë nga këmbët e të dënuarit.
9 Qershor 2008