Beçaj: Drejtësia është në gjykatë, jo tek sekserët
Armand Bajrami
Kryetarja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj, reagoi dje me një deklaratë publike, duke thënë se të gjitha vendimet e institucionit që ajo drejton janë marrë në pavarësi të plotë dhe jashtë çdo presioni. Në një kohë kur Gjykata e Lartë është bërë objekt i vëmendjes për disa vendime, si lirimi i një të arrestuari me 40 kilogramë heroinë apo prishja e disa dënimeve të dhëna nga Krimet e Rënda, kryegjyqtarja konfirmoi respektimin në mënyrë absolute të ligjit nga togat e zeza të Gjykatës së Lartë. Duke pranuar prezencën e fenomenit të korrupsionit në hallkat e gjyqësorit në Shqipëri, gjyqtarja Beçaj bëri thirrje që njerëzit e veshur me pushtet, përveçse t'i denoncojnë të tilla raste, të bindin opinionin publik se çdo problem i shtruar për zgjidhje në organet e drejtësisë, zgjidhjen do ta gjejë në gjykatë. "Eshtë i njohur fakti se në radhët e gjyqësorit të sotëm është prezent fenomeni i korrupsionit. Organet e specializuara të ngarkuara me ligj për zbulimin dhe goditjen e këtij fenomeni punojnë në mënyrë konstante për plotësimin e detyrës së tyre, por mediat, analistët, njerëzit e veshur me pushtet politik apo shtetëror, krahas domosdoshmërisë së denoncimit me fakte dhe prova të fenomenit korrupsion në gjyqësor, duhet që në mënyrë po kaq konstante të injektojnë në opinionin publik idenë se çdo problem, i madh apo i vogël, që është shtruar për zgjidhje në organet e drejtësisë, zgjidhjen e drejtë dhe ligjore do ta gjejë në gjykatë". Kryegjyqtarja pohon më tej se drejtësia duhet të kërkohet dhe të gjendet vetëm tek pushteti gjyqësor dhe jo tek sekserët. "Çdo qytetar shqiptar duhet të kuptojë domosdoshmërisht se drejtësinë duhet ta kërkojë dhe ta gjejë te pushteti gjyqësor dhe jo te sekserët, të cilët janë fatkeqësisht jo të pakët në numër ndër avokatë, punonjës të agjencive shtetërore e private dhe ndërmjetës të tjerë të paligjshëm", citon Beçaj në deklaratën e saj. Ajo vijon më tej duke thënë se, "duhet të çrrënjoset nga mentaliteti i publikut se 'atë që të takon apo pretendon se të është mohuar' mund të fitohet nëpërmjet korruptimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve të veçantë".
ZBATIMI I LIGJIT
Në sqarimin e kompetencave që i jep ligji Gjykatës që drejtohet nga Beçaj, kryegjyqtarja pohon se vendimet e togave të zeza të kësaj gjykate shprehen të arsyetuara dhe të argumentuara. "Çdo pjesë ose paragraf i arsyetimit apo dispozitivit të vendimit të Gjykatës së Lartë, e interpretuar mediatikisht dhe/ose politikisht në mënyrë të shkëputur nga përmbajtja tërësore e vendimit dhe provave të administruara në dosjen gjyqësore, përbën vlerësim dhe qëndrim joprofesional, të njëanshëm dhe dashakeqës", tha Beçaj. Duke iu referuar ligjeve në fuqi, kryegjyqtarja pohon se Gjykata e Lartë ka pavarësi të plotë në dhënien e vendimeve, autoritet e integritet të lartë, imunitet dhe garanci kushtetuese e ligjore, të cilat mundësojnë organizimin dhe funksionimin e saj sipas standardeve të avancuara të një shteti demokratik e juridik. Kryegjyqtarja saktëson se në Kodin Penal parashikohen edhe veprat penale të kryera nga persona me funksione në shërbimin publik, ku përfshihen edhe të gjithë gjyqtarët e të tre shkallëve të gjyqësorit. "Presionet e çfarëdollojshme që ushtrohen mbi Gjykatën e Lartë nuk mund të lëkundin qëndrimin e saj të vendosur për zbatimin e ligjit gjatë procesit vendimmarrës gjyqësor", përfundon deklarata e kryetares së Gjykatës së Lartë.
Dosjet dhe dënimet VIP të rrëzuara nga Gjykata e Lartë
Reagimi i kryetares së Gjykatës së Lartë vjen në një kohë kur ky institucion është vënë në qendër të vëmendjes pas vendimeve të dhëna gjatë këtij viti. Duke filluar me dosjen "Durrës-Kukës", çështjen "Gërdeci", rrëzimin e disa vendimeve dhe burgimeve të dhëna nga Krimet e Rënda apo kthimin e çështjeve për personazhe VIP të botës së krimit, Gjykata e Lartë ka qenë në qendër të akuzave nga analistët dhe media për vendime "të dyshimta". Kështu, kohët e fundit Gjykata e Lartë ka rrëzuar vendimet e dy shkallëve më të ulëta për një sërë çështjesh, të cilat kanë qenë publike si pasojë e publikimit në media. Dosja e Lavdërim Tufës, të dënuarit përjetë për vrasjen e Mirit të Xhikes, pas 5 vjetësh gjykim te Krimet e Rënda dhe Apelin e Krimeve të Rënda, padyshim që do të krijonte precedent në lidhje me analizimin dhe mënyrën e marrjes së provave nëpër proceset e ndryshme. Ndërsa pak ditë më parë u lirua nga qelia biznesmeni nga Fieri, Zaim Tafa, i arrestuar nën akuzën e "trafikimit të narkotikëve". Një Kolegj Penal i Gjykatës së Lartë, i cili shqyrtoi masën e sigurisë së tij, rrëzoi pretendimet e Prokurorisë për përfshirje të tij në trafik, duke i dhënë lirinë. Po kështu, kjo gjykatë prishi dhe riktheu në Fakt dosjen penale në ngarkim të biznesmenit tjetër fierak Arben Isufaj, çështja e të cilit u pushua. Po kështu, rrëzimit të organit të akuzës në Gjykatën e Lartë nuk do i shpëtonte edhe çështja më publike e kohëve të fundit, dosja "Gërdeci". Fillimisht kjo gjykatë ndau çështjen e ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, nga të pandehurit e tjerë, ndërsa rrëzoi futjen e padisë civile të të dëmtuarve të tragjedisë së 15 marsit 2008, në procesin penal në ngarkim të Delijorgjit. Po kjo gjykatë në prill të këtij viti vendosi të pushonte gjykimin për ministrin aktual të Jashtëm, Lulzim Basha, i cili ishte marrë i pandehur nën akuzën e abuzimeve me rrugën Durrës-Kukës. f.m