E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rritja ekonomike rihap “plagët” e vjetra mes FMN-së dhe Qeverisë



Ervin KOÇI

Rritja ekonomike e vendit gjatë këtij është kthyer në “mollën e sherrit” mes Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe qeverisë shqiptare e cila pretendon një rritje të lartë pavarësisht krizës. Në konferencën e përbashkët për shtyp të mbajtur dje në Ministrinë e Financave, kreu i misionit të FMN-së në Shqipëri Gerwin Bell dhe ministri i Financave, Ridvan Bode, u përplasën sërish për të njëjtën temë që disa herë ka ngjallur debate. Sipas FMN-së, edhe pse rritja ekonomike këtë vit nuk do të jetë 1 por 2 për qind, përsëri ajo mbetet e ulët, në një kohë që në vitin 2010 ajo do të rritet me 3 për qind. “Duke marrë në konsideratë zhvillimet në gjysmën e parë të viti me një aktivitet ekonomik të fortë dhe një ngadalësim në gjysmën e dytë të vitit dhe me një rritje për vitin 2010, ne parashikojmë që rritja e ekonomike për vitin 2009 të jetë rreth 2 për qind dhe në vitin 2010 do të shkojë 3 për qind”,- tha Bell duke shtuar se pavarësisht kësaj, shqiptarët duhet të jenë optimistë. “Mund të duken si shifra të ulëta, por të vendosura në kontekstin e rritjes ekonomike në Europë ju siguroj që janë shumë të larta”,- shtoi më tej Bell. Sa i përket buxhetit të shtetit, FMN-ja ka këshilluar se qeveria shqiptare duhet të bazohet në të dhëna reale. Sipas Bell, “Shqipëria menaxhoi mirë krizën që e kërcënonte dhe ndërmori stimuj. Por tani është koha të ndërpriten këta stimuj”.

Kundërshtimi i Bodes

Ministri i Financave, Ridvan Bode, në fjalën e tij tha se qeveria realisht pret një rritje prej 6 për qind dhe se duhet punuar ende në aspektin e shifrave. "Rritja ekonomike ka qenë një diskutim i përhershëm mes nesh dhe Fondit. Ajo që ne i kemi kërkuar Fondit dhe që do ta realizojmë është që përmes departamentit të statistikave që ka të mund të mund ta asistojë institutin tonë të statistikave. Qeveria është e interesuar për statistika reale dhe jo për përllogaritje qoftë nga banka, qoftë nga ministria e financave apo FMN. Le ti japim një hapësirë dhe të bëjmë kredibël këtë institucion”,- deklaroi Bode. E duke qeshur, Bode shtoi se, “gjithsesi jam optimist për statistikat e FMN-së, i cili është sjellë pak konservator. Ne presim rritje ekonomike 6 për qind për vitin 2010”. Por kjo nuk është përplasja e parë mes FMN-së dhe qeverisë. Para pak kohësh një debat i ngjashëm u bë mes të dy institucioneve për rritjen e ekonomike në Shqipëri.

Buxheti 2010

Buxheti i vitit 2010 do të jetë një instrument i fortë për të tejkaluar të gjithë efektet e krizës financiare ndërkombëtare. Ndonëse në terma teknike kanë mosmarrëveshje, siç është rasti i rritjes ekonomike, qeveria dhe FMN e vlerësojnë njëlloj këtë rrugëdalje. “Në kushtet aktuale buxheti 2010 bëhet shumë i rëndësishëm për vendin. Me anë të tij qeveria mund të stimulojë një pozicion më të fuqishëm të ekonomisë në raport me zhvillimet globale si edhe të nxisë fondet financiare drejt produktivitetit”- tha Gerwin Bell. Pas qëndrimit njëjavor në Shqipëri, misioni i FMN-së bën vlerësim pozitiv për ekonominë shqiptare dhe vlerëson se e keqja më e madhe e krizës është hedhur pas, ndërkohë që Banka e Shqipërisë apelon për kujdes të vazhdueshëm. “Ne synojmë të kreditojmë ekonominë shqiptare dhe së dyti thithjen e investimeve të huaja direkte kryesisht drejt prodhimit. Në këtë kuadër Banka e Shqipërisë, kryesisht është e angazhuar të zbatojë objektivin e saj kryesor të dhënë me ligj, stabilitetin e çmimeve” - tha Guvernatori i BSH-së, Ardian Fullani. Pas këtij misioni qeveria dhe FMN kanë rënë dakord që në fillim të 2010 të nënshkruajnë një marrëveshje të re në kuadër të artikullit 4.

Bode: Bllokimi i ARMO-s ishte sipas ligjit

Ministri i Financave, Ridvan Bode ka reaguar dje publikisht lidhur me incidentin e krijuar në kompaninë e naftës “ARMO”. Ai është shprehur se ligji do të zbatohet njësoj për të gjithë tatimpaguesit duke mos toleruar askënd. I pyetur nga gazetarët, në një dalje publike Bode u shpreh se, administrata fiskale nuk merret me emra kompanish, por me subjekte që zbatojnë ose nuk e zbatojnë ligjin. “Jo vetëm kompania ‘ARMO’, por i gjithë biznesi i madh do të investigohet për të parë në se janë korrekt me detyrimet ndaj shtetit”- ka thënë Bode. Ky reagim i ministrit të Financave vjen në një kohë kur administrata tatimore nxori një urdhër bllokues për uzinën e naftës “ARMO”, pasi ajo ka mungesë të theksuar në dokumentacion dhe ky fakt përbën precedent për evazion fiskal. Por situata precipitoi pasi tatimorët hasën në rezistencë të kompanisë por edhe të policisë së zonës, e cila u lajmërua nga drejtuesit firmës.

Energji 24 orë, KESH gati të importojë në nëntor

KESH-i do të nisë importet për të mbajtur premtimin e qeverisë për 24 orë drita. Korporata Eelektroenergjetike Shqiptare do të nisë në muajin nëntor importet me 2.5 milionë lekë energji. Drejtues të kompanisë kanë bërë të ditur se qytetarëve nuk do t’u mungojë energjia. KESH hedh në rrjet të gjithë sasinë që i nevojitet OSSH-së aktualisht. Situata jo e mirë e reshjeve si dhe parashikimet për muajt e dimrit janë të zymta, çka do të thotë se dimri do të jetë i thatë. Aktualisht tarifa e energjisë është 1.6 lekë dhe KESH ka kërkuar që ajo të rritet me 2.5 lekë, çka do të thotë një rritje prej 36 për qind. Kjo është hera e parë që Korporata ka aplikuar për të rritur çmimin e energjisë që do t’i shesë OSSH-së. Por kjo shifër për drejtuesit e korporatës është modeste. Me këtë çmim, KESH synon që të shlyejë borxhet e akumuluara në dy vitet e fundit, të cilat arrijnë në 200 milionë euro. Bëhet fjalë për kredi nga bankat e nivelit të dytë, të cilat ishin në llogari të OSSH-së, por pas privatizimit ato i kaluan për llogari KESH-it.

28 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›