E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrasje në qendër të Vlorës, sharrohet me plumba një grua



Një grua rreth 50 vjeçe është vrarë me armë zjarri dhe një person mendohet të jetë marrë peng mesditën e djeshme në qytetin e Vlorës. Viktima është Stolie Sherraj, e cila punonte si banakiere në një bar-restorant në Vlorë. Autori i ngjarjes është identifikuar menjëherë nga dëshmitarët në ngjarje. Ai është Xhezo Habilaj, rreth 45 vjeç. Mesditën e djeshme autori i ngjarjes ka shkuar pranë lokalit në lagjen “28 Nëntori” duke mbajtur në krahë një çantë. Është ndalur dhe prej saj ka nxjerrë një automatik kallashnikov dhe pa paralajmërim ka qëlluar në drejtim të gruas, e cila ndodhej pranë banakut. 50-vjeçarja ka gjetur vdekjen e menjëhershme, ndërsa autori i ngjarjes, ndërsa po largohej, ka ndaluar një automjet që po kalonte pranë lokalit. Nën kërcënimin e armës së zjarrit ai e ka detyruar drejtuesin e mjetit që të shkonte në një drejtim të pacaktuar. Mësohet se personi që është marrë peng është një mashkull që udhëtonte me një automjet ngjyrë gri, identiteti i të cilit ende nuk është bërë i ditur.
Hetimet
Policia e Vlorës ka ngritur menjëherë postblloqet dhe ka nisur kërkimin në rrugët e qytetit për të gjetur automjetin, autorin e ngjarjes dhe personin e marrë peng. Kërkimet janë shtrirë në të gjitha rrugët hyrëse dhe dalëse të qytetit. Ndërkohë, në vendin e ngjarjes policia ka marrë në pyetje dëshmitarët e pranishëm në momentin e vrasjes. Hetimet e para tregojnë se mes viktimës dhe autorit të krimit ka pasur një lidhje jashtëmartesore dhe pak kohë me parë kjo lidhje është ndërprerë. Vrasja ka ndodhur për arsye xhelozie.
Vrasja
Vrasësi është shfaqur në befasi dhe banakierja nuk ka kuptuar asgjë lidhur me qëllimet e Habilajt. Sapo është përballur me banakeren e lokalit, Stoli Sherraj, autori ka nxjerrë nga çanta një automatik dhe e ka zbrazur atë në drejtim të 50-vjeçares, e cila mbeti e vdekur në vend. Më pas Habilaj dyshohet se është larguar qetësisht nga lokali për të humbur gjurmët, duke hipur në një makinë që e siguroi me dhunë. Policia ka mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes dhe pas hetimeve të para bëri të mundur identifikimin e autorit të dyshuar të ngjarjes, i cili është shpallur në kërkim. Policia nuk ka bërë të ditur motivet e këtij krimi, ndërsa u shpreh se hetimet po vazhdojnë.

Dy viktima në Korçë, njëri nga alkooli dhe tjetri nga ilaçet

Një person ka vdekur dhe një tjetër ka përfunduar në spital në gjendje të rëndë brenda harkut të 24 orëve në qarkun e Korçës, për shkak të përdorimit të ilaçeve dhe alkoolit. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se rasti i parë dyshohet të jetë tentativë vetëvrasje në rrethana të rënda depresive. Sipas tyre, rreth orës 19:00 ka shkuar në Spitalin e Korçës, i transportuar nga familjarët, në gjendje të rëndë për jetën shtetasi A. Hoxha, 70 vjeç, banor në fshatin Menkulas të Devoll. Nga veprimet e para hetimore u konstatua se ky shtetas vuante nga sëmundjet e zemrës, tensionit dhe depresionit nervor dhe për këtë kishte marrë dhe përdorur ilaçe pa u treguar familjarëve. “Aktualisht i moshuari ndodhet në Spitalin e Korçës në gjendje të rëndë për jetën”, - thonë burimet policore, të cilat bëjnë të ditur se kanë nisur hetimet për tentativë vetëvrasje. Po ashtu, mbrëmjen e dy ditëve më parë, rreth orës 20:30 ka shkuar në gjendje të rëndë dhe ka ndërruar jetë në Spitalin Civil të Korçës shtetasi K. Trendafili, 41 vjeç, lindur e banues në Lagjen Nr. 6. Nga hetimet paraprake, deklarimet e familjarëve, si dhe nga autopsia e kryer sipas të dhënave paraprake të mjekut ligjor, rezulton se vdekja e tij ka ardhur si pasojë e konsumimit të tepër të pijes alkoolike. Policia përjashton pistën e vrasjes apo vetëvrasjes pasi nuk janë gjetur shenja dhune në trupin e të vdekurit.

Vodhën arkat me fishekë, dy në pranga

Dy persona janë arrestuar për grabitjen e një magazine në Fushë Krujë, pasi kanë marrë dy arka me fishekë, ndërkohë që policia ka nisur hetimet edhe për pronarin e mallit pasi akuzohet për mbajtje pa leje të municioneve. Burimet zyrtare të Policisë së qarkut Durrës pohojnë se dje, rreth orës 18:00 ndaluan në flagrancës shtetasit Shkëlqim Osmani, 47 vjeç, lindur në Laç dhe banues në Fushe Krujë, i dënuar më parë për vjedhje dhe shtetasin Ardian Duka, 46 vjeç, lindur dhe banues në Fushë Krujë”. Sipas tyre, arrestimi i dy personave u bë pasi më datë 25 tetor ata kanë hyrë brenda magazinës në pronësi të shtetasit Lutfi Çela, banues në Fushë-Krujë, në vendin e quajtur ish-SMT-ja dhe kanë vjedhur 2 arka me 1800 copë fishekë luftarakë model 56, kalibër 7.62.mm, si dhe vegla të ndryshme pune (Lima Cekane etj.). Policia nisi hetimet ndaj dy personave për vjedhje në bashkëpunim, si dhe për personin e grabitur, shtetasin Lutfi Çela, pasi ndaj tij pritet të rëndojë akuza e "mbajtjes pa leje të municioneve luftarake".

Bie në pranga pasi kapet me automjetin e vjedhur

Një kontroll i befasishëm i policisë bëri që të identifikohej edhe një mjet tjetër i vjedhur, gjë që ka sjellë edhe shoqërimin e drejtuesit të mjetit dhe nisjen e hetimeve ndaj tij. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut Durrës bëjnë të ditur se ndaluan shtetasin Astrit Vata, 53 vjeç, lindur dhe banues në Lagjen Nr. 10 në Tiranë, pasi gjatë kontrollit të mjetit të tij tip “BMW” 745, me targa TR-2201-M, ngjyrë blu, me numër shasie YBAGL61050DM50997, i deklaruar në pronësi të tij, rezultoi i vjedhur në Itali më 3 gusht 2005. Në momentin e kontrollit mjeti drejtohej nga shtetasi Adem Pojana. Policia bëri bllokimin e makinës dhe nisi hetimet në gjendje të lirë për shtetasin Astrit Vata.

Plagosen nënë e bir gjatë aksidentit rrugor

Dy persona janë plagosur gjatë një aksidenti të ndodhur në autostradën Durrës-Tiranë, si pasojë e përplasjes së një makine me një kamion. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Durrësit thonë se dje, rreth orës 04.30 në vendin e quajtur Delta ka ndodhur një aksident automobilistik; mjeti tip “BMW”, me targa Angleze YI 480 BH është përplasur me mjetin tip kamion me targa VL-3324-C, me drejtues Zamir Kormuzi, 35 vjeç nga Vlora. Për pasojë, janë lënduar dy personat që ndodheshin në makinën e vogël; përkatësisht shtetasit Shkumbin Ferati, 26 vjeç, nga Dibra, i cili është drejtuesi i BMW-së dhe e ëma e tij Nadire Ferati, 54 vjeçe. Njoftimi paraprak i policisë thotë se dy të dëmtuarit kanë shkuar për mjekim në Spital Ushtarak në Tiranë dhe për momentin ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë, kanë nisur hetimet për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit.

Prangoset i kërkuari për shfrytëzim prostitucioni
Një 34-vjeçar i shpallur në kërkim për shfrytëzim prostitucioni është arrestuar dje nga policia e Fierit. Astrit Korroveshaj, 34 vjeç, lindur në Ballsh dhe banues në Fier, i dënuar më parë është kapur dje nga policia pasi emri i tij figuronte në listën e personave të kërkuar. Mësohet se ndaj tij Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg” për veprën penale të “shfrytëzimit të prostitucionit”. Ngjarja për të cilën akuzohet 34-vjeçari ka ndodhur në vitin 2007 kur ai dyshohet se ka shfrytëzuar për prostitucion në Shqipëri shtetasen me inicialet A. S.

28 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›