E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrau policin Arben Lasku në ‘97, arrestohet Mondi Muliu



Arrestohet pas 12 vjetësh në kërkim autori i vrasjes së policit Arben Lasku dhe plagosjes së dy policive të tjerë. Policia e Tiranës vuri në pranga dje një të shumëkërkuar, i cili ka vrarë në 1997 një punonjës policie dhe ka plagosur dy të tjerë. Në prangat e agjentëve të policisë ra Mondi Muliu, 31 vjeç, i cili kërkohej prej 12 vjetësh nga drejtësia shqiptare. Punonjësit e policisë kishin disa kohë që po punonin për kapjen e 31-vjeçarit, falë të dhënave të grumbulluara në rrugë operative mbi banesën ku strehohej, duke finalizuar ditën e djeshme operacionin për vënien në pranga të tij. Operacioni i koduar “Lapidari” është zhvilluar në Tiranë, në një banesë ku Muliu strehohej prej kohësh. Sipas burimeve zyrtare policore, Muliu akuzohet se gjatë trazirave të vitit 1997 vrau një punonjës policie dhe plagosi rëndë dy të tjerë gjatë një përpjekjeje të forcave policore me një bandë kriminale të armatosur, që operonte në atë zonë për grabitje me dhunë. Ngjarja për të cilën akuzohet 31-vjeçari ka ndodhur më 13 qershor të vitit 1997. Banda ndodhej në Vaun e Dejës, ndërsa është përballur me punonjësit e policisë, të cilët kishin marrë dijeni se në ato momente ishte duke ndodhur një grabitje në atë zonë. Muliu ka qëlluar me armë në drejtim të punonjësve të policisë, ku nga plumbat e marrë, ka mbetur i vdekur Arben Lasku, ndërsa janë plagosur dy punonjësit e tjerë, Arben Paloci dhe Gjovalin Zali. Lasku është shpallur dhe “Dëshmor i Atdheut” dhe “Qytetar Nderi” i Vaut të Dejës në Shkodër. Pas arrestimit, Muliu është shoqëruar për në qelitë e burgut. 31-vjeçari akuzohet për kryerjen e veprave penale të “vrasjes në rrethana cilësuese” dhe “vrasjes në rrethana cilësuese, e mbetur në tentativë”. Ndërkohë që përveç dy veprave penale të mësipërme, Muliu akuzohet edhe për “vjedhje me armë” dhe “armëmbajtje pa leje”.

Akuzat

“Vrasje në rrethana cilësuese”

“Vrasje në rrethana cilësuese, e mbetur në tentativë”

“Vjedhje me armë”

“Armëmbajtje pa leje”

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›