Sherri ; Xhelozia për të dashurën, rrihet vëllai i prokurorit të Tiranës
I ka thyer shishen në kokë kur ka mësuar se e dashura e tij kishte një lidhje të hershme me personin që kishte para syve në lokal. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 01:00 të mëngjesit të së dielës në mjediset e lokalit “Mai Tai” në Lundër të Tiranës, kur xhelozia për një femër për pak sa nuk është mbyllur me gjakderdhje. Protagonisti 22-vjeçar, i cili është vëllai i prokurorit të Tiranës, Dritan Rreshkës, dhe njëkohësisht vëllai i një oficeri të Antidrogës, Bledar Rreshkës, ka mbetur i plagosur rëndë pasi u masakrua me sende të forta në mjediset e një kompleksi argëtues, në dalje të kryeqytetit. Lajmi është konfirmuar nga burime të policisë së Tiranës, sipas të cilave, Sokol Rreshka, 22 vjeç, me banim në Tiranë, kishte shkuar për të kaluar mbrëmjen në këtë lokal, kur përpara i ka dalë ish e dashura e tij Mesida Ll., e cila ishte në shoqërinë e Taulant Spahiut, 22 vjeç, Olsi Mema 22 vjeç dhe Dervin Lohut 21 vjeçar. Ndërkohë, pasi Spahiu ka mësuar se e dashura e tij kishte pasur një lidhje të hershme me Sokol Rreshkën, e ka qëlluar këtë të fundit me një shishe të thyer duke e plagosur rëndë. Në vendngjarje, specialistët e Seksionit Kundër Krimeve Ndaj Jetës dhe Shëndetit kanë mundur të vërë në pranga menjëherë të dyshuarin Taulant Spahiu, nën akuzën e “plagosjes së rëndë me dashje”. Ndërsa disa orë më pas, u vunë në pranga edhe dy të dyshuarit e tjerë, Olsi Mema dhe Dervin Lohu. Këta të fundit, akuzohen për veprat penale të “moskallëzimit të krimit” dhe “përkrahjes së autorit të krimit kryer në bashkëpunim”. Ndërkohë, policia tha se gjithashtu, u shoqërua për t’u ndjekur në gjendje të lirë vajza Mesida Ll., e cila në ato momente ishte e shoqëruar me të sipërcituarit.