E Diel, 1 Nëntor 2026

Gllavenica, ku u pagëzua mbreti bullgar

11/06/2005  Në fundin e shekullit të 8-të ungjillizohet dhe pagëzohet si i krishterë në Shqipëri, pastaj dhe kurorëzon martesën, mbreti Boris Mihail i bullgarëve (në Gllavenicë). Në një shkrim në gur është ruajtur shënimi për këtë moment historik. Në një letër papnore drejtuar mbretit bullgar Boris thuhet: “Ju keni lindur në vendin e krishtërimit”. Në “Illyricum Sacrum”, vëllimi VIII, gjenden dokumente të rëndësisë parësore për arkipeshkvinë e Sofjes, Tërnovos, Shkupit dhe Ohrit. Disa qindra faqe dokumente të burimit kishtar dëshmojnë lulëzimin e këtyre provincave kishtare në mesjetë. Dokumentet që përmban ky vëllim për Bullgarinë dhe bullgarët përfshijnë periudhën e paleokrishtërimit (parasllave dhe para-bullgare), periudhën e lulëzimit të mbretërisë bullgare dhe periudhën bizantine. Në këto dokumente, që janë të burimit perëndimor, njoftimi më i hershëm për Moesinë (Bullgarinë e sotme) i përket vitit 173. Këto janë dokumente që Papa Klementi i 11-të i mblodhi, duke ngarkuar studiues shumë të zotë, për “Ilirikun e shenjtë”, që në konceptin kishtar shtrihej deri në Danub. Këshilla të Nikolai I Patrik për pyetjet e bullgarëve dhe përgjigje për mbretin Simeon të Bullgarisë. Në vitin 1381, princi shqiptar Tanush Topia porositi mbishkrimin mural në tri gjuhë në hyrjen qendrore të manastirit të Shën Gjon Vladimirit: latinisht, greqisht dhe në sllavishten e vjetër. Teksti në sllavishten e vjetër përmban grafema që sot përdoren vetëm në alfabetin bullgar. Lef Nosi pati bërë në vitet 1930 një transliterim të këtij shkrimi dhe gjuhëtarët mendojnë se ai shkrim është bullgarishte klasike. Kjo, edhe për faktin se në tekst gjendet shkronja “ë”, e cila është tipike dhe përjashtimisht vetëm e bullgarishtes. Ruhet një biografi e vjetër e Shën Gjon Vladimirit, ku theksohet se “ai erdhi nga Bullgaria”. Bullgaria dhe Shqipëria paraqiten në një hartë origjinale të Ballkanit, që i takon vitit 1654. Në sixhilatin e sherijes së Beratit ruhen shumë dokumente osmane për Rumelinë, midis të tjerave për Bullgarinë, duke përfshirë një “ferman të lartë sulltanor”, që ka të bëjë me dhënie shpërblimesh në “Sanxhak pasha” të Sofjes. Në këtë regjistër janë shenjuar mbi 200 dhurime perandorake shtetasve bullgarë (timare, zijamete). Dokumenti i takon vitit 1703. Pas përfundimit të luftës austro-turke dhe arritjes së marrëveshjes së Karlovic-it dhe të Passarovic-it për njohjen e së drejtës Austrisë për mbrojtjen e të krishterëve (“cultus protectorati”) në arkivat shqiptare rezulton një koleksion mjaft i pasur dokumentesh, i përbërë nga relacionet e vizitatorëve apostolikë që interesoheshin për krishtërimin roman në Ballkan. Vizitatorët që ngarkoheshin për të inspektuar Bullgarinë dhe Rumaninë, zakonisht kanë qenë arkipeshkvë të provincave kishtare shqiptare, të cilat ishin më të afërtat, si Karl Poeten, arkipeshkv i Tivarit, i cili kishte një autorizim me shkrim prej Selisë së Shenjtë, me nënshkrim papnor për të kryer këtë shërbim. Misionarët e krishtërimit roman kanë raportuar për ngjarjet në jetën e kishës në Bullgari, për klerikët e saj, për vdekjen e jerarkut të lartë bullgar Nikolla Penov (1875), për dhurimin i një këmbane nga kishat bullgare kishës së Hoçishtit (1896), përgjithësisht për marrëdhëniet ndërmjet dy kishave në ish-perandorinë osmane. Të gjitha këto dokumente ruhen në arkivat e Shqipërisë. Periudha prej krizës së Lindjes deri në shpalljen e pavarësisë të Shqipërisë është nga më të pasurat me dokumente. Pjesa më e madhe janë relacione të konsujve të fuqive të mëdha në Shkodër, Vlorë, Janinë, Selanik, Shkup e në qytete të tjera, të cilët njoftojnë për qëndrimin inkurajues të lëvizjeve pavarësiste të popujve të Ballkanit nga autoritetet bullgare. Gjatë Rilindjes Kombëtare Shqiptare, Sofja renditet si një prej kryeqendrave të lëvizjes kombëtare shqiptare, e cila atje zhvilloi shtypin e vet, krijoi organizata atdhetare, bashkërendoi punën e qendrave të tjera të veprimit patriotik. Arkivat e Shqipërisë ruajnë dokumente të subjekteve shqiptare, që kanë qenë fondkrijues në Sofje. Figura qendrore të Rilindjes Kombëtare të Shqipërisë, prej Josif Bagerit deri tek Fan Noli, kanë ushtruar veprimtari atdhetare lirisht në Bullgari, pa asnjë pengesë shtypi, organizimi dhe lëvizjeje pavarësie. Gjatë luftës së parë ballkanike ruhen dokumente që tregojnë se qëndrimi bullgar ka qenë kundër copëtimit të trojeve shqiptare prej fqinjëve ballkanikë. Dokumentet diplomatike të drejtpërdrejta midis dy shteteve fillojnë nga viti 1924, kur Fan Noli kërkoi vendosjen e marrëdhënieve diplomatike, që u përmbyll në periudhën pas revolucionit nolian. Qeveria bullgare ishte një prej të parave që njohu qeverinë e A.Zogut. Dy mbretëritë bashkëpunuan me marrëveshje dhe traktate, duke përfshirë traktatin për shkollat shqipe në Bullgari dhe anasjelltas. Dokumente që hedhin dritë për lidhjet shqiptaro-bullgare ka për periudhën e viteve 1930, gjatë së cilës u mbajtën disa konferenca panballkanike, dy prej të cilave në Sofje, ku qeveria e Shqipërisë u përfaqësua nga diplomatë të shquar me statusin e vëzhguesit (për shkak se nga fuqitë ballkanike konsiderohej si vend joballkanik, sepse traktati i miqësisë me Italinë i njihte kësaj të fundit të drejtën e ndërhyrjes për mbrojtjen e “sigurisë së jashtme” të saj). Burimet e arkivave partiake janë ende të pashfrytëzuara për të dyja palët. Në qendër të këtyre burimeve janë figura e E.Hoxhës dhe e Gj.Dimitrovit. Dokumenti më i rëndësishëm i periudhës së pasluftës është traktati i miqësisë dhe paqes midis Shqipërisë dhe Bullgarisë (1948). Pas prishjes së marrëdhënieve me ish-Bashkimin Sovjetik, të gjitha traktatet e miqësisë dhe të paqes e bashkëpunimit me vendet e ish-kampit të Lindjes, Shqipëria i denoncoi. I vetmi traktat miqësie midis dy vendeve që i kishin takuar botës së Lindjes, ishte ai i Shqipërisë me Bullgarinë. Në histori nuk ka gjëra aksidentale. U takon historianëve të arsyetojnë këtë fakt.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›