E Diel, 1 Nëntor 2026

Ilir Bajri: Prishtinë-Tiranë, marrëdhënie të ngrira...

11/06/2005  Pianisti kosovar, Ilir Bajri, i cili ndodhet në Tiranë për të marrë pjesë në "Tir Jazz Fest 2005", nuk harron të kujtojë se lidhja me muzikën jazz ka filluar që në rininë e hershme të tij, por se shumë kohë më pas ai jo vetëm filloi ta kuptonte jazz-in, por, madje të "dashurohej" me të. Bajri bën pjesë në grupin shqiptar të muzikës jazz, i cili drejtohet nga klarinetisti dhe drejtori artistik i këtij aktiviteti, Fatos Qerimi. Pavarësisht përvojave të tij në vende të ndryshme të Botës, që nga Italia e deri në Spanjë, ai ndjehet shumë i privilegjuar që merr pjesë në një festival jazz-i, i cili zhvillohet në Tiranë. Pasi përfundoi studimet për piano në vitin '93, ai tentoi të eksploronte muzikën elektroakustike, duke kompozuar kolona të ndryshme për teatër dhe film. Që prej vitit 2003, iniciativa e tij mundësoi krijimin e "Qendra për muzikën e re", ku ai kultivon një rrymë të re të shfaqur në muzikën kosovare. Por duke folur për marrëdhëniet e artistëve midis tyre, ai është kritik dhe autokritik, duke thënë se "është për të ardhur keq, por është e vërtetë që gjendja është skandaloze dhe Tirana me Prishtinën janë shumë larg njëra-tjetrës. Ka edhe faktorë të tjerë objektivë dhe subjektivë. Po filloj nga një element të thjeshtë në pamje, por shumë të rëndësishëm në thelb: rruga. Eshtë shumë e vështirë të udhëtosh nga Prishtina në Tiranë dhe anasjelltas. Kjo rrugë që s'po mbaron kurrë dhe që ne urojmë të mbarojë një orë e më parë, pengon shumë kontaktet midis dy kryeqendrave. Për ne artistët është shumë e kushtueshme të udhëtojmë me avion".

Cilat ishin arsyet që ju "bindën" të lidheshit kaq ngushtë me muzikën jazz?

Arsyeja e parë ishte familja, pasi babai im ishte shumë i apasionuar pas kësaj muzike. Por që të jem i sinqertë, në atë kohë vetëm kurioziteti më lidhte me të. Vite më vonë arrita të kuptoj se kjo muzikë më krijonte mundësinë për të patur një horizont të tejhapur në lirinë time kreative, kështu që nuk mund t'i thuash jo lirisë. Por njohja me Besim Gashin dhe Luan Osmanin më hodhën përfundimisht në "rrjetën" e jazz-it. Osmani është pa dyshim një nga xhazistët më profesionistë në muzikën shqiptare, jo për arsye të moshës, por, sepse e ka elaboruar jazz-in që në kohën e ish-Jugosllavisë.

A konstatoni se publiku shqiptar është i lidhur ngushtë me jazz-in?

Besoj se ka shumë fansa, pasi gjatë këtyre ditëve të festivalit kam parë shumë njerëz të vijnë në sallë dhe njëkohësisht të kenë shumë dëshirë dhe pasion për këtë muzikë. Unë kam parë që në shumë festivale të jazz-it në Botë, publiku ka qenë shumë më i pakët se këtu në Tiranë. Por, edhe në Kosovë publiku tregon shumë interes për jazz-in, pavarësisht se ne këto kohët e fundit nuk kemi organizuar shumë aktivitete dhe gjej rastin të bëj edhe një autokritikë, pasi edhe ne artistët kemi pjesën tonë të përgjegjësisë. Ka disa aktivitete, por ku jazz-i është i "ftuar", nuk ka një aktivitet si ky që zhvillohet në Tiranë. Eshtë një ndërmarrje shumë e vështirë dhe e përgëzoj Fatosin (Qerimin) dhe të gjithë organizatorët, që kanë patur kurajon t'i hyjnë kësaj aventure dhe mund të them pa frikë se, Qerimi, përveçse një instrumentist i shkëlqyer, është edhe një organizator shumë i zoti. Ne kemi disa instrumentistë shumë të talentuar në Kosovë, të cilët kanë studiuar në Austri e gjetkë dhe shpresojmë që shumë shpejt të realizojmë diçka të ngjashme, por edhe të kemi një kontakt shumë më të gjerë midis Tiranës dhe Prishtinës.

Jeni një partizan për jazz-in klasik apo për atë bashkëkohor?

Mua më pëlqen jazz-i klasik, por është koha që të jemi shumë të hapur edhe ndaj alternativave bashkëkohore. Hapja në çdo aspekt ndihmon dhe jazz-i nuk mund të përjashtohet nga ky fakt. Eshtë koha e "jazz-fusion", ku janë marrë shumë gjëra nga muzika elektronike e viteve '70, të cilat i dhanë një frymëmarrje të re jazz-it, ndikimet e të cilave ndjehen mjaft edhe në ditët tona. Ajo çka është më e rëndësishmja është se edhe zhanret e tjera muzikore kanë marrë elementë jazz-i, duke filluar që nga DJ e deri te kompozitorët e muzikës serioze. Gjithashtu duhet të shtoj se jazz-i është i lidhur ngushtë edhe me fansat e tij, të cilët duhet të jenë jo vetëm të lidhur me të, por të kenë vullnetin e mirë ta shijojnë dhe ta perceptojnë atë, pasi edhe ky fakt ndikon jo vetëm në përhapjen e këtij zhanri, por edhe për rrymat që preferohen më shumë.

A keni mbështetje nga Ministria e Kulturës për projekte që kanë lidhje me jazz-in?

Jo vetëm për jazz-in, por edhe për projekte të ndryshme kulturore financimet janë inekzistente. Natyrisht që nuk mund të fajësoj vetëm aspektin administrativ, por edhe vetë artistët duhet të tregohen më këmbëngulës dhe më largpamës, në mënyrë që të marrin edhe ata "aventurat" e tyre.

A besoni se marrëdhëniet midis artistëve të Kosovës dhe këtu në Shqipëri janë në parametrat e duhur?

Aspak. Madje është për të ardhur keq, por është e vërtetë që gjendja është skandaloze dhe Tirana me Prishtinën janë shumë larg njëra-tjetrës. Duhet të përgëzoj këtu dhe të sjell si shembull artistët e arteve pamore, të cilët kanë gjetur mundësinë të bashkëpunojnë më shumë midis tyre dhe, ndoshta është një shembull që duhet ta ndjekim edhe ne artistët e tjerë. Duhet që vetë komuniteti i artistëve të krijojë vizione më të qarta për shtimin e kontakteve dhe të mos i lemë gjërat në duart e të "tjerëve". Kuratori dhe miku im i mirë, Erzen Shkololli, Edi Muka, Adrian Paci, Sislej Xhafa etj., janë një orientim shumë i saktë për rrugën që duhet të ndjekim të gjithë, pasi ata jo vetëm që janë në kontakt të vazhdueshëm me njëri-tjetrin, por edhe shkëmbejnë informacione për të gjitha aktivitetet që kryejnë. Më lejoni t'ju kujtoj se Shkololli u përzgjodh nga Galeria Kombëtare në Tiranë, për të kuruar edhe "Onufrin". Madje, mund të them se ata shpeshherë, kur prezantohen në aktivitete ndërkombëtare, preferojnë më shpesh të prezantohen me koncept gjeografik Albania se sa si Krahina e Pavarur e ish...

Cilat janë disa nga arsyet, sipas jush, që i mbajnë larg artistët nga njëri-tjetri?

Në radhë të parë dua të theksoj se komunitetet e artistëve, si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë, janë përgjegjës për këtë fat dhe duhet sa më shpejt të vihen në lëvizje për të ndryshuar tërësisht situatën. Përpos kësaj ka edhe faktorë të tjerë objektivë dhe subjektivë. Po filloj nga një element të thjeshtë në pamje, por shumë të rëndësishëm në thelb: rruga. Eshtë shumë e vështirë të udhëtosh nga Prishtina në Tiranë dhe anasjelltas. Kjo rrugë që s'po mbaron kurrë dhe që ne urojmë të mbarojë një orë e më parë, pengon shumë kontaktet midis dy kryeqendrave. Për ne artistët është shumë e kushtueshme të udhëtojmë me avion. Natyrisht që kjo është një pengesë serioze, por jo e vetmja. Ritheksoj se ne duhet të kapërcejmë vështirësitë administrative dhe të kontaktojmë më shumë midis nesh, qoftë edhe duke krijuar një zyrë kulturore të përbashkët koordinimi, e cila të kishte kohën dhe mjetet e duhura që të organizonte veprimtari të përbashkta. Do të ishte kënaqësi e veçantë që instrumentistët që luajnë jazz këtu në Tiranë, të vinin të luanin edhe në Prishtinë, pasi ata janë me të vërtet shumë të talentuar. Por, edhe pa këtë zyrë, ne kemi mundësi të mësojmë nga artistët e arteve pamore se si ata arritën të kenë midis tyre këtë nivel komunikimi dhe bashkëpunimi midis tyre.

Intervistoi: Leonard Olli

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›