E Diel, 1 Nëntor 2026

HASAN LIKA “E FSHEHTA” E XHANIT

10/06/2005  Lajme kontradiktore vijnë nga skuadra e Partizanit. Prej përfundimit të kampionatit, të kuqtë janë në kërkim të njeriut që do të drejtojë skuadrën në sezonin e ardhshëm, por ende nuk mund të jepet një përgjigjje e saktë, të paktën nga ato zyrtare. Ndërkohë, që nga media vizive mësohet se trajneri i Shpresave të Shqipërisë, Hasan Lika, pritet të bëjë prezantimin në skuadrën e kuqe, si trajner i kësaj skuadre ditën e hënë. Vet numri një i Partizanit, Albert Xhani, e ka mohuar një fakt të tillë. Zërave që ka patur kontakte ndërmjet tij dhe trajnerit Lika, ai iu është përgjigjur pozitivisht, por nuk ka pranuar se ndërmjet tyre është folur për çështjen e trajnerit. Disi e çuditshme kjo, por që gjithsesi, të paktën kështu ka konfirmuar Xhani. Pikërisht një fakt të tillë, e ka deklaruar presidenti i Partizanit, në një bisedë telefonike për “Metropol Sport”. “Unë kam patur dhe kam kontakte me trajnerin e Shpresave, Hasan Lika. Gjithsesi, ne kemi pirë vetëm kafe me njëri-tjetrin. Sa për firmën e tij që flitet për të hënën, nuk di çfarë të them. Unë nuk di të kemi biseduar për çështjen e trajnerit të ardhshëm të Partizanit, me Hasan Likën. Ndaj, nuk mund t’iu konfirmoj asgjë”- është shprehur nëpërmjet telefonit për “Metropol Sport”, presidenti i Partizanit, Albert Xhani. Ndërkohë, në bisedën e tij, i pyetur në lidhje me merkaton, Xhani nuk ka nxjerrë asnjë emër konkret. Ai është mjaftuar me faktin e thjeshtë se, për momentin vetëm po punohet dhe pas 6 korrikut do të mësohet shumë më tepër, në lidhje me emrat e rinj që pritet t’i bashkohen skuadrës së kuqe në sezonin e ardhshëm. “E kemi theksuar, se ne jemi duke punuar për merkaton, me qëllim që të afrojmë në skuadër, elementë sa më cilësorë, me qëllimin e thjeshtë për të ngritur një skuadër fituese. Gjithsesi, për emra konkretë nuk mund të flas që tani. Mendoj se është ende herët dhe nuk ka ardhur momenti i duhur për të nxjerrë emrat e futbollistëve të ardhshëm të skuadrës së Partizanit. E rëndësishme është se ne po punojmë, por gjithçka do të qartësohet më shumë, vetëm pas 6 korrikut”- ka nënvizuar presidenti Xhani. Gjashtë korriku i përcaktuar nga Xhani, si dita, kur do të zbardhen emrat e rinj të Partizanit të ri, përkon edhe me startin e fazës përgatitore të të kuqve. Ndërkohë, një fakt i tillë ka bërë që për momentin të mos bëhet i ditur dhe vendi se ku ta zhvillojnë fazën përgatitore të kuqtë. Sipas Xhanit është ende shumë herët, për të folur për një gjë të tillë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›