LSI, Panariti: Bregdeti i ndotur i Vlorës kërkon ndërhyrje urgjente
Lëvizja Socialiste për Integrim ka ndjekur me shumë shqetësim situatën e ndotjes me naftë të bregdetit të Vlorës, duke e quajtur atë një dramë ekologjike të rëndë jo vetëm për ekosistemin detar pranë pyllit të Sodës, por për turizmit, hotelerinë dhe bizneset e rajonit të Vlorës. Kjo situatë kërkon një ndërhyrje të menjëhershme dhe një plan të detajuar dhe urgjent veprimi.
Ne propozojmë dërgimin sa më parë në zonën e ndotur të një ekipi specialistët të pajisur me të gjitha mjetet për luftimin e ndotjes. Të përpiqemi së pari të mos lejojmë shtrirjen e njollës së naftës në pjesët e tjera të detit dhe nëse shikohet e nevojshme të vendoset urgjentisht pengesa plastike lundruese për të penguar zgjerimin e njollës së naftës, thekson LSI-ja. Kështu, Sekretari i LSI-së për Bujqësinë dhe Mjedisin, Prof. Dr. Edmond Panariti, hodhi idenë për tu përpjekur me të gjitha mënyrat për të përthithur njollat e naftës që ende ndodhen në det, me sfungjer masiv, apo edhe duke përdorur detergjent që zbërthejnë në det, njollat e naftës. Nëse njollat e naftës vazhdojnë të jenë homogjene dhe padyshim i takojnë specialistëve të vlerësojnë këtë, duke parë dhe mundësia e djegies së tyre në det të hapur. Për atë pjesë të naftës që tashmë ka prekur brigjet kërkojmë që në mënyrë urgjente të fillojë pastrimi i plazheve, padyshim që specialistët do të vlerësojnë edhe natyrën dhe thellësinë e ndotjes në varësi edhe të strukturës së plazheve, nëse janë plazhe gurishtor apo ranor, prandaj kërkohet urgjentisht që specialistët të jenë prezent aty për të bërë vlerësimet e situatës, shprehet Panariti. Gjithashtu, LSI-ja u bëri thirrje të gjitha institucioneve që merren me monitorimin e ambientit në Shqipëri të dërgojnë sa më parë specialistë për të bërë monitorimin e ajrit për praninë e benzenëve dhe furaneve, po kështu të tokës dhe bimësisë, të peshqve dhe molusqeve, mbi këtë bazë të gjykohet dhe mbi shtrirjen e thellësisë së ndotjes detare me naftë në këtë zonë kritike të bregdetit të Adriatikut.