E Shtunë, 31 Tetor 2026

Veteranët s’e ndalin grevën

Nga Express më 04 qershor 2011 në ora 18:38

Prishtinë, 4 qershor - Ish-luftëtarët e UÇK-së në ditën e trembëdhjetë të grevës kanë paralajmëruar sërish se nuk do të ndalin grevën deri në realizimin e kërkesave të tyre. Ylber Selmani, anëtar i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Luftëtarëve të UÇK-së, ka thënë të shtunën se kanë pritur më shumë nga kryeparlamentari Jakup Krasniqi, e jo që ai të kërkojë që ta ndërpresin grevën, duke mos dhënë asnjë afat se kur do të zgjidhen kërkesat e tyre.

“Ne nuk do të ndalemi, por do të vazhdojmë, sepse kemi të drejtë. Kemi dhënë për këtë tokë anëtarë të familjeve tona, kemi dhënë gjymtyrë, pjesë të trupit dhe jemi të gatshëm që edhe me shëndetin tonë edhe ashtu të rrënuar, të qëndrojmë e të vazhdojmë grevën deri në kthimin e dinjitetit dhe krenarisë së luftës sonë të drejtë e çlirimtare”, ka thënë Selmani.

Ndërsa Xhevdet Qeriqi, kryetar i KMDL të UÇK-së, ka theksuar se fajin për mosmiratimin e Ligjit për vlerat e luftës e kanë Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës.

“Ne kërkojmë që të marrim garanci bindëse që ky ligj të miratohet, në të kundërtën nuk do të tërhiqemi nga greva. Greva është çdo ditë duke u rritur, e kemi përkrahjen e madhe të bashkëluftëtarëve dhe do ta vazhdojmë deri në fund”, ka thënë ai.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›