E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuçi opozitës, mos vajtoni, jepni alternativa

Nga Express më 04 qershor 2011 në ora 18:07

Zëvendëskryeministri dhe njëherësh ministër i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, i ka bërë thirrje opozitës që të dalë me alternativa për çështje për të cilat ajo vazhdimisht është duke kritikuar Qeverinë e Kosovës.

Duke folur për kërkesat e opozitës për dorëheqjen e kryeministrit Hashim Thaçi gjatë një konference për media të shtunën, ministri Kuçi ka thënë se
disa parti politike e kanë humbur kauzën dhe nuk po dinë me çka të merren.

“Ajo çka mund të them me rëndësi është që dorëheqjet, secili ka nevojë që të konsolidohet brenda shtëpisë së vet. Unë e di që ka parti politike që kanë humbur kauzën dhe sot nuk dinë me çka merren, por dinë të thonë tërhiquni ose diçka tjetër le të ofrojnë alternativë për qytetarin e Republikës së Kosovës. Qytetari i Republikës së Kosovës është ai që e çon dikë në shtëpi e lë dikë në opozitë, apo edhe dikë në pozitë dhe ne do ta respektojmë çdo vullnet të qytetarëve të Republikës”, ka thënë Kuçi.

Kuçi ndërkohë ka folur edhe për çështjen e përfolur të shkëmbimit të territoreve me Serbinë duke thënë se Serbia duhet të jetë më e kujdesshme në hapjen e këtyre temave për arsye se ajo duhet të mendojë edhe për brezat e ardhshëm, të cilët mund të ndihen në turp.

“Kosova është për integrim në Union Evropian që është zgjidhja më e mirë jo vetëm për liri, liberalizim, ekonomi dhe siguri, por për zgjidhjen e problemeve etnike që kanë mbetur jashtë territoreve të shteteve amë. Serbia duhet të jetë e kujdesshme në hapjen e temave. Kosova nëse shkohet me këtë trend do t’i hapë temat që Serbia nuk do t’i mbyllë asnjëherë, dhe do t’i hapë temat që Serbia jo vetëm gjenerata ekzistuese, por edhe gjeneratat që do të vijnë edhe pas 100 viteve në Serbi do të ndihen në turp”, ka thënë ai.

Duke iu kundërpërgjigjur akuzave të opozitës, e cila ka thënë se kjo qeveri edhe pse ka hartuar disa strategji nuk ka bërë asgjë për veriun, ministri Kuçi ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk mund të ndërhyjë në veri pa koordinimin me faktorin e jashtëm, ndërkohë që ka ftuar opozitën që të japë alternativa e të mos “vajtojë”.

“Ne do të marrim masa dhe do të angazhohemi atje, por në asnjë rast nuk do të marrim masa pa koordinim të plotë me faktorin ndërkombëtar në veçanti me SHBA-në dhe BE-në. Unë e them një thënie duhet ta drejtojmë kurrizin por jo ta thyejmë atë, kështu do të jemi edhe në të ardhmen. Unë po them që opozitën e ftoj më shumë të ofrojë alternativa, më pak të vajtojë e të mallkojë, dhe më pak të fyejë. Alternativat i duan qytetarët, për tjerat mund t’i paguajmë disa vajtore dhe shkojnë e kryejnë punën e tyre”, ka thënë Kuçi.

Sipas tij, veriu është një sfidë për të gjithë pa dallim partie, andaj për të ndërhyrë në këtë pjesë duhet mbështetje nga të gjithë.

Ai e quajti imitim të Partisë Demokratike vendimin e LDK-së për krijimin e qeverisë në hije, mirëpo ai ftoi sërish opozitën që të dalë me propozime konkrete për të gjitha çështjet. (KosovaPress)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›