E Diel, 1 Nëntor 2026

Godet me grusht shokun e skuadrës, Horsens prish kontratën me Berishën

Besart Berisha ka mbyllur përpara kohe huazimin e tij me Horsens, në SAS Ligaen nga anglezët e Bërnlit. Pas problemeve disiplinore të muajit të fundit, ku sjella e lojtari të Kombëtares shqiptare është cilësuar "e denjë për një adoleshent", dje në mesditë ka ardhur edhe përjashtimi nga skuadra. Shkak është bërë goditja me grusht në kokë e sulmuesit shqiptar, ndaj shokut të skuadrës, Kenet Emil Petersen, në seancën stërvitore të së hënës. Pas incidentit, drejtuesit e klubit vendosën të ndërpresin bashkëpunimin me sulmuesin kosovar, por pa dhënë detajet. "AC Horsens ka vendosur të ndërpresë me efekt të menjëhershëm bashkëpunimin me Besart Berishën. Ai është përfshirë në një incident në stërvitjen e së hënës dhe si pasojë nuk do të aktivizohet me skuadrën tonë", thuhej në deklaratën e Horsens. Megjithatë, mediat daneze kanë zbuluar për çfarë bëhej fjalë: një sulm fizik i Berishës ndaj një shoku të skuadrës. Sipas tyre, mbrojtësi Petersen e ka kritikuar 23-vjeçarin për impenjimin e pakët, ndërsa kuqeziu reagoi duke e goditur. Është dashur ndërhyrja e lojtarëve të tjerë të Horsensit për t‘i dhënë fund "çmendurisë" së Berishës. Trajneri Henrik Jensen nuk ishte prezent gjatë episodit, por u njoftua nga ndihmësit e tij. Sipas drejtuesit të stolit, nuk ka dyshime: sulmuesi duhet të bëjë valixhet gati dhe të kthehet në Angli. "Nuk mund ta pranojmë një veprim të tillë. Kjo sjellje më ka zhgënjyer, por ne kemi rregulla dhe për klubin ky incident është i papranueshëm", tha Jensen. Horsens duhet të fitojë ndeshjen e fundit të kampionatit dhe të shpresojë që Sonderjisk të humbasë, për të mbijetuar në elitë. Ndërsa Berisha kthehet te Bërnli, që me fitoren 1-0 përballë Shefilld Junajtid, në takimin "play-off" të luajtur të hënën, është rikthyer në Premiership pas 33 vjetësh.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›