E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sfida me Gjeorgjinë, testim vetëm për lojtarët e rinj

Ndryshe nga paraardhësi i tij, Ari Han, trajneri i Kombëtares shqiptare, Josip Kuzhe, nuk është kursyer në grumbullimin e lojtarëve për dy ndeshjet e ardhshme, më 6 qershor me Portugalinë dhe miqësoren me Gjeorgjinë vetëm katër ditë më pas. Pas listës 27 emërore, kroati i stolit kuqezi i ka idetë e qarta: në përballjen kundër Kristiano Ronaldo&Co., të vlefshme për eliminatoret e Botërorit 2010, ai do t‘i besojë "gardës së vjetër". Koha e pakët në krye të stolit kuqezi i bën të pamundura ndryshimet radikale. Edhe pse duket shumë e vështirë, objektivi është marrja e një rezultati pozitiv, i cili do të shkatërronte shpresat e të besuarve të Kueiroz, për të luajtur në Afrikën e Jugut. Për të testuar grupin e lojtarëve të rinj, të cilët kanë qenë pjesë e përhershme e skuadrës, por edhe ata që vlerësohen si kandidatë potencialë, do të shfrytëzohet takimi i 10 qershorit me përfaqësuesen gjeorgjiane. Në këtë takim do të gjejnë hapësira të gjithë, nga i rikthyeri Jahmir Hyka, për të vazhduar te Bakaj, Lila, Bylykbashi, Lika e Memelli, të cilët nuk kanë pasur shumë hapësira në dispozicion, e deri te debutuesit me Kombëtaren, Jetmir Sefa e Emilian Vila. Në këtë miqësore do të hidhen bazat për ndërtimin e Shqipërisë së ardhshme, skuadrës që duhet të konkurrojë për objektiva realë në eliminatoret e Euro 2012. Mes ndeshjeve zyrtare dhe miqësoreve të konfirmuara për vitin 2009, deri më tani trajneri 56-vjeçar ka gjashtë teste në dispozicion për të krijuar një grup solid. Por, numri i takimeve mund të arrijë kuotën dhjetë, me datat e lira të FIFA-s përpara fazës finale të Kupës së Botës.

Njohja nga afër me grupin e lojtarëve do të nisë të premten, më 29 maj. Ekipi do të grumbullohet në mesditë në stadiumin "Qemal Stafa", për t‘u akomoduar më pas në hotel "Dyrrahu" në Durrës. Në orën 18:00 do të zhvillohet edhe stërvitja e parë. Në këtë mënyrë, Kuzhe do të ketë gjithsej nëntë ditë në dispozicion për të përgatitur ndeshjen me Portugalinë, që fillon në orën 20:45. Përveç një pauze të dielën, kur kuqezinjtë do të lihen pushim, deri të premten (5 qershor) skuadra do përgatitet me intensitet maksimal, ku parashikohen nga dy seanca stërvitore në ditë. Idetë rreth formacionit titullar do të qartësohen në ndeshjen e kontrollit të së martës (më 2 qershor), me Kombëtaren U-17. Gjatë kësaj periudhe trajneri do të shfaqet dy herë përpara mediave, ku do të paraqesë planet dhe ambiciet në krye të Shqipërisë. Pas sfidës së 6 qershorit, skuadra do të bëjë 24 orë të tjera pushim, përpara se të rifillojë stërvitjet për takimin e së mërkurës kundër Gjeorgjisë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›