Kthehen 11 vajza, dyshohet të jenë viktima të trafikut të prostitucionit
Policia e Kosovës ka kthyer paraditen e së shtunës në Doganën e Morinit një grup prej 11 vajzash nga Shqipëria, të cilat sipas uniformave blu, janë gjetur pa dokumente të rregullta. Burime të policisë së Kukësit tregojnë se vajzat janë nga rrethe të ndryshme të vendit si: Korçë, Librazhd etj., dhe se për to dyshohet të jenë viktima të një rrjeti të gjerë të trafikut të prostitucionit. Vajzat janë sistemuar në një nga hotelet e qytetit, ku edhe janë marrë në pyetje në praninë e juristes së drejtorisë. Të gjitha vajzat janë të moshës nga 19 deri në 25 vjeç dhe sipas një burimi të policisë, kanë pasaporta të rregullta shqiptare dhe se kthimi i tyre lidhet thjesht me tejkalimin e kohëqëndrimit të tyre në Kosovë. Pas marrjes në pyetje, asnjë prej efektivëve blu nuk ka pranuar të prononcohet zyrtarisht, duke thënë thjesht se ende dyshojnë që shumica e tyre janë viktima të trafikut të paligjshëm, por që kjo pistë mbetet të vërtetohet më tej. Ndërkaq, siç pohoi juristja e Drejtorisë së Policisë së Kukësit, vajzat nuk kanë pranuar që janë viktima të mashtrimit dhe që kanë ushtruar prostitucion në Kosovë.
“Kemi shkuar për të punuar atje, pasi në Shqipëri nuk kemi gjetur punë”, kanë thënë vajzat, duke shtuar se kanë udhëtuar me dëshirë dhe me ndërmjetësime, siç i kanë nënvizuar, të besueshme. Nga ana tjetër, nga burime të policisë së Kukësit, që u referohen të dhënave të policisë së Kosovës, del se qindra vajza nga Shqipëria kryejnë prostitucion në Kosovë, të maskuara si kameriere, punonjëse recepsioni etj. Edhe vajzat e kthyera të shtunën mësohet se kanë punuar pak a shumë në këto profesione, por nuk është vërtetuar nëse ishin viktima të rrjetit të trafikut të prostitucionit. Drejtori i kufirit për rajonin e Kukësit, Ylber Zyberi, tha për rastin e vajzave të deportuara, se policia e Kosovës i kishte kthyer për mungesë të lejeqëndrimit në Kosovë. Ai tha se komiteti për ekstrakomunitarët dhe i antitrafikut pranë qeverisë së Kosovës, kishte verifikuar se vajzat të cilat nuk kishin lidhje me njëra-tjetrën, ishin gjetur pa lejeqëndrim dhe për këtë shkak ishin kthyer në Shqipëri. Sipas ligjeve të Kosovës, një shtetas jo kosovar mund të qëndrojë aty për një periudhë 90-ditore, e më pas kjo leje mund të përsëritet në organet kompetente dhe zgjatet deri në 180 ditë. Zyberi tha se edhe në raste të tjera, policia e Kosovës kishte kthyer dhjetëra vajza në Doganën e Morinit. Në një numër rastesh, një pjesë e vajzave të deportuara kanë pohuar në Policinë e Kukësit se kanë kryer në Kosovë prostitucion dhe se kishin udhëtuar për atje të joshura për punë. Pikëkalimet kufitare të Qarkut të Kukësit kanë shërbyer si transit për trafikimin e qenieve njerëzore edhe drejt vendeve të Perëndimit nëpërmjet linjës Shqipëri-Kosovë-Serbi-Mali i Zi-Kroaci-Slloveni-Itali. Burime të policisë së Kukësit tregojnë për gazetën “Shqip” se në vitin 2009 nëpërmjet Doganës së Morinit janë deportuar rreth 200 shtetas shqiptarë, nga të cilët rreth 70 femra, si dhe një numër fëmijësh adoleshentë.
#