E Diel, 1 Nëntor 2026

Grabit kazinonë, kapet edhe me drogë

Korçë

Maskat godasin sërish në qytetin e Korçës dhe objekt sulmi ka qenë për të disatën herë e njëjta pikë lojërash fati. Një person i maskuar ka hyrë në një lokal të tillë, duke grabitur me dhunë një shumë prej 100 mijë lekësh. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:20 në pikën e lojërave të fatit “Admiral”, në Lagjen Nr.7 të qytetit, te “Blloku Rinia”. Sipas policisë, një person me maskë ka hyrë papritur dhe duke bërë presion ndaj punonjësve dhe klientëve, ka vjedhur nga arka shumën e lartpërmendur dhe është larguar me shpejtësi. Por nuk ka kaluar shumë dhe pas një pune të mirë policore është bërë kapja e autorit. Policia, e cila ka punuar për gjatë gjithë natës në vendin e ngjarjes, pas marrjes së njoftimit se një person i maskuar ka vjedhur me dhunë një pjesë të xhiros, ka mundur të zbulojë autorin, i cili rezulton të jetë Lorenc Pepellashi, i cili sipas dyshimeve të policisë nuk ka vepruar i vetëm, por edhe i ndihmuar nga persona brenda kazinosë për të kryer këtë grabitje. 36-vjeçarit i janë gjetur gjatë kontrollit në banesë një sasi parash, një pistoletë, një sasi municionesh prej 580 fishekësh dhe lëndë narkotike. Policia ka zbuluar në banesën e autorit mjete komprometuese, ndërkohë që është vënë nën akuzë edhe për armëmbajtje pa leje dhe përdorim të lëndëve narkotike. Sipas policisë, 36-vjeçari rezulton të jetë përdorues droge dhe atij iu gjetën 128 gramë hashash. Policia ka bërë të ditur se për këtë ngjarje janë marrë në pyetje disa persona, ndërkohë që një nga punonjëset e shërbimit ka pasur dijeni për vjedhjen me dhunë. Punonjësja e shërbimit në këtë filial ka qenë shtetësja XH. N., 28 vjeçe, e cila rezulton të ketë pasur lidhje me autorin e kësaj grabitjeje me maska. Burimet zyrtare thonë se vjedhja me dhunë e pikës së lojërave të fatit ka rikthyer grabitjet me maska në qytet, por pas një pune të mirë dhe të shpejtë, edhe këtë herë autori është vënë në pranga. Pika e lojërave të fatit vidhet për të tretën herë gjatë këtij viti.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›