Vrasja e biznesmenit, dyshohet e porositur
Zbardhen detajet e vrasjes së ish-efektivit të policisë dhe biznesmenit shkodran, Astrit Meshnuni, i ekzekutuar me një breshëri plumbash automatiku mbrëmjen e së premtes në sy të gruas dhe fëmijëve të tij. 41-vjeçari Meshnuni është qëlluar nga një person i vetëm pa maskë, përshkrimi fizik i të cilit mbahet sekret për arsye hetimi. Pas ngjarjes, autori është larguar më këmbë në drejtim të periferisë, për nga kodrat e Tepes. Sipas policisë lokale, në vrasjen e tij duhet të kenë qenë të përfshirë më shumë se dy persona, të cilët kanë ruajtur lëvizjet e biznesmenit dhe kanë mbajtur kontakte telefonike me autorin, që i ka zënë pritë pranë vilës së tij në lagjen “Perash”. Për policinë nuk përjashtohet mundësia që vrasja të ketë qenë edhe e porositur. Ndërkohë që hetimet po përqendrohen në të kaluarën e viktimës.
Pistat e hetimitSipas policisë lokale janë ngritur disa pista hetimi, por ende nuk ka prova të mjaftueshme për t’u ndalur te ndonjë pistë e veçantë e për më tepër në autorët e ngjarjes. Sipas burimeve policore, hetimet janë përqendruar kryesisht në të kaluarën e biznesmenit, ku dyshohet për ndonjë konflikt të vjetër që mund të ketë të bëjë me çështje pronësie. Megjithatë, sipas policisë është ende herët për të saktësuar motivet dhe gjithçka është duke u hetuar në detaje. Burime konfidenciale pohuan për “Shqip” se i vetmi detaj kryesor për ngjarjen është fakti se viktima është qëlluar nga një person i vetëm pa maskë, i cili është larguar më këmbë nëpër errësirë. Policia ka ndërtuar tashmë edhe skemën e ngjarjes. Autori i ka zënë pritë biznesmenit te dera e shtëpisë, ai është afruar me automatik kallashnikov në dorë dhe e ka detyruar të zbresë nga makina në momentin që ndodhej fare pranë banesës. Në këtë kohë, mes viktimës dhe autorit janë shkëmbyer disa fjalë dhe autori në fillim ka qëlluar me dy plumba biznesmenin dhe më pas ka derdhur mbi të një breshëri plumbash. Aty kanë qenë prezent gruaja dhe dy fëmijët. Fakti që viktima, të paktën vitet e fundit, nuk dihet të ketë pasur ndonjë konflikt dhe i është zënë pritë në momentin e ekzekutimit, për policinë do thotë se përveç se kemi të bëjmë me ndonjë konflikt të vjetër, vrasja mund të ketë qenë e paguar.
Ndërkohë mësohet se policia e Shkodrës ka shoqëruar gjatë gjithë natës 25 persona, të cilët janë të njohur të afërt të viktimës, që mund të kenë dijeni për ndonjë konflikt që biznesmeni mund të ketë pasur gjatë së kaluarës. Sipas të njëjtave burime, një pjesë e të shoqëruarve janë individë që njihen si kontingjent krimi në qytet. Në të njëjtën kohë, agjentët e policisë kriminale kanë intervistuar dhe gruan e biznesmenit, e cila ka qenë dëshmitare okulare në vendin e ngjarjes, por për arsye hetime nuk jepet asnjë detaj në lidhje me atë çfarë ka pohuar bashkëshortja e biznesmenit para agjentëve të policisë.
Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit, policia e Shkodrës ka kryer kërkime intensive në afërsi të kodrave të Tepeve, ku mendohet të jetë drejtuar autori pas ekzekutimit të biznesmenit Meshnuni. Përveç forcave të shumta të policisë, në aksion policia ka vepruar duke përdorur dhe qen gjurmues. Ndërkaq, në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Shkodër është ngritur një grup i veçantë pune që po merret me ngjarjen, me agjentët dhe ekspertët më të mirë të policisë dhe veprimet për zbardhjen e ngjarjes po drejtohen nga vetë drejtori i policisë së qarkut në bashkëpunim me Prokurorinë e Shkodrës. Ndërkohë, pasditen e djeshme është zhvilluar ceremonia mortore e biznesmenit të ndërtimit, Astrit Meshnuni, baba i tre fëmijëve.
#