E Shtunë, 31 Tetor 2026

Godet në gjendje të dehur një 58-vjeçar

Peshkopi/ Dorjan Iskurti goditi me thikë Hekuran Kalecin, i cili ndërroi jetë mëngjesin e djeshëm


PESHKOPI - Goditjet e forta me thikë kanë bërë që një 58-vjeçar të gjejë vdekjen në orët e mesnatës së djeshme në një lokal në qytetin e Peshkopisë.

Sipas burimeve policore ka qenë pronari i këtij lokali Dorjan Iskurti, 25 vjeç, banor në qytetin e Peshkopisë, i cili ka goditur me thikë 58-vjeçarin Hekuran Kaleci që kishte hyrë e po pinte në lokalin e tij.

Goditja ka qenë fatale për Kalecin, i cili ka gjetur vdekjen, ndërsa policia ka arritur të arrestojë Iskurtin. Sipas uniformave blu, në momentin e ngjarjes, viktima ka rezultuar të ketë qenë në gjendje të dehur, dhe po kështu dyshohet të ketë qenë edhe 25-vjeçari. Madje, sipas këtyre burimeve, pikërisht nën këtë efekt mund të jetë kryer dhe vrasja. Nuk bëhet e ditur nëse ka pasur arsye të tjera të mëparshme që kanë shërbyer për vrasjen pas mesnate, pasi vrasja ka ndodhur rreth orës 01:30.


58-vjeçari ka hyrë në lokal dhe ka qëndruar duke pirë, dhe më pasmes tyre ka pasur një grindje ka gjeneruar në goditje të fortë me thikë në disa pjesë të trupit të 58-vjeçarit. Ndërkohë, ekziston edhe dyshimi i ndonjë konflikti të mundshëm, dhe për këtë policia ka marrë masa për të mbajtur gjendjen nën kontroll, ndërsa po hetohet rreth shkaqeve të vërteta të kësaj ngjarje të rëndë.

--------------------------------------------------------------------------

Berat, dy vetëhelmime brenda tri ditëve

BERATI - Berati këtë javë është tronditur nga dy ngjarje të cilat prej disa kohësh duket sikur ishin harruar.


Fjala është për dy raste vetëhelmimi në harkun kohor të tri ditëve. Sipas burimeve zyrtare nga policia, rasti i parë i përket shtetasit Artan Ismaili, 35 vjeç, banor i lagjes "Çlirim", i cili në kushte të rënda depresioni ka gjetur ngushëllimin duke pirë lëndë toksike të tipit fotoksinë.

Ngarja ka ndodhur dy ditë më parë rreth orës 8:00 të mëngjesit dhe i sëmuri ndodhet në një gjendje shëndetësore të paqëndrueshme dhe aktualisht ndodhet i shtruar në spitalin rajonal të Beratit ku sipas mjekëve është duke iu nështruar një terapie intensive. Ismaili njihet si një njeri i urtë dhe punëtor dhe nuk ka pasur probleme me askënd.

Rasti tjetër i takon shtetases B.G., 34 vjeçe, banore e lagjes "Kushtrim" në qytetin e Beratit, e cila një ditë më parë është paraqitur në urgjencën e spitalit rajonal të Beratit në gjendje të rënduar shëndetësore.

Sipas mjekëve, të cilët i kanë dhënë ndihmën e parë mjekësore, e sëmura ka shfaqur shenja të dukshme helmimi dhe, sipas diagnozës paraprake, kemi të bëjmë me një rast vetëhelmimi, i cilësuar aksidental. Gjithmonë, sipas mjekëve, e sëmura ka pirë lëndë toksike.

-----------------------------------------------

Vlorë, era e fortë, problem energjia elektrike


VLORË - Mbrëmjen e së martës, era e fortë në qytetin e Vlorës ka shkaktuar një sërë problemesh në energjinë elektrike, por edhe në trafikun detar. Rreth orës 20:40 të së martës, tre lagje të zonës së Skelës janë përfshirë nga terri për shkak të ndërprerjes së energjisë.


Janë dashur më shumë se 16 orë për riparimin e defektit dhe kthimin e energjisë elektrike në këtë zonë.

Ndërkohë, ka pasur vonesa në nisjen e trageteve. Dy tragetet e linjës Vlorë-Brindizi me marrjen e informacionit për stuhinë që po afrohej, është dashur të anulojnë udhëtimet e tyre për shkak të shpejtësisë së erës dhe dallgëve të mëdha duke bërë që rreth 100 pasagjerë ta shtynin udhëtimin e tyre.


Sipas burimeve të kapitenerisë së Vlorës, rreth orës 17:30 shpejtësia e erës u rrit deri në 35 dhe më pas 40 km në sekondë, ndërkohë që deti në gji shkoi në 5 deri në 6 ballë, ndërsa në det të hapur 7 deri në 8 ballë. Era e fortë ka shkaktuar jo pak probleme dhe në qytet ku ka dëmtuar tabela të shumta reklamash.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›