Zhdukja e 9-vjeçarit, dyshohet për transplant organesh
DENONCIMI/ Olsi Gega, nga fshati Dardhaz i Xhuxhës i komunës Fan, u zhduk 10 ditë më parë
MIRDITË - Pas 10 ditë zhdukjeje enigmatike të 9-vjeçarit Olsi Gega nga fshati Dardhaz i Xhuxhës së komunës Fan, të afërmit e tij dyshojnë për zhdukje të qëllimtë të tij për transplant organesh.
Kanë qenë disa të afërm të fëmijës që banojnë në zonën e Rubikut, të cilët kanë denoncuar në komisariatin e Mirditës pikërisht në lidhje me këtë dyshim.
Si të vetmit persona të afërm që mund të bënin një denoncim të tillë, pasi fëmija është jetim së bashku me tre vëllezërit e tjerë pa asnjë mundësi ekonomike, këta të afërm kontaktuan me një nga oficerët e policisë ku kanë hedhur dyshimin kryesor, pas 10 ditë kërkimesh në gjithë zonën si nga banorët e fshatit dhe policia, se pista më e mundshme është ajo e rrëmbimit të fëmijës.
Burime të rezervuara nga komisariati i policisë së Mirditës nuk kanë ngurruar të sjellin disa fakte që lidhen me praninë e një fuoristrade atë ditë që ka humbur fëmija teksa kthehej në një rrugë rurale që lidhet me fshatin ku humbi fëmija. Madje drejtuesi i fuoristradës ka qenë i kujdesshëm kur ka parë elektricistin e zonës dhe një grua të afërme të familjes së Olsi Gegës. Tre persona që gjendeshin në makinën fuoristradë kanë pyetur se nga bie rruga për Kosovë, por më pas nuk është kuptuar se nga ata kanë lëvizur, pasi janë jo pak raste kur makinat me targa të Kosovës humbasin drejtimin e rrugës nacionale. Pikërisht ditën e nesërme është njoftuar dhe humbja e fëmijës i zhdukur një natë më parë kur është parë të lëvizte në atë fshat dhe në ato rrugë fuoristrada me tre persona brenda. Gj.Marku
--------------------------------------------------------------------------------
INCIDENTI/ Një vajzë 4-vjeçare e cila po flinte është lënduar si pasojë e çarjes së murit
Vlorë, automjeti hyn në banesë, dëmtohen tre vetë
VLORË - Një aksident automobilistik ka ndodhur pasditen e djeshme në aksin rrugor Uji i Ftohtë - Skelë të qytetit të Vlorës. Mjeti tip benz 280 me targa VL 5960 C ka devijuar nga rruga kryesore, e cila ka një kend shumë të lehtë dhe ka goditur një automjet të parkuar duke shkatërruar murin e një banese e duke përfunduar brenda saj.
Tre vetë kanë mbetur të lënduar, mes tyre edhe një vajzë 4-vjeçare, por dëmtimi fatmirësisht ka qenë i lehtë.
Pasditen e së enjtes, automjeti tip "Benz" i drejtuar nga Gazmir Bega, për shkak të shpejtësisë së lartë ka devijuar nga rruga dhe është përplasur me një mjet tjetër që ndodhej i parkuar para një banese.
Por makina nuk është ndalur pas përplasjes duke vijuar lëvizjen është përplasur me murin dhe duke e çarë atë. Në këto momente brenda shtëpisa kanë qenë tre pjesëtarë të familjes. Në vendin ku u ça muri, në ambientet e brendshme, po flinte një vajzë 4-vjeçare. Në momentin e përplasjes, një nga tullat ka rënë duke e tmerruar fëmijën por edhe lënduar, fatmirësisht jo rëndë. Ndërsa pjesëtarët e tjerë të familjes nuk janë dëmtuar.
Por si pasojë e aksidentit, banesa ka pësuar dëmtime të konsiderueshme edhe në orenditë shtëpiake. Nga përplasja e makinës me targë VL 5960 C me një mjet tjetër të parkuar, si dhe me banesën, automjeti është dëmtuar duke dalë jashtë përdorimit. Brenda tij është dëmtuar drejtuesi i mjetit Gazmir Bega, arkitekt ndërtues në këtë qytet dhe pasagjeri tjetër, rreth moshës 24 vjeç, të cilët pasi kanë marrë mjekimin e nevojshëm janë jashtë rrezikut për jetën.
Nuk është e para herë që në këtë aks rrugor ndodhin aksidente, madje ai njihet si aksi ku ka pasur dëmtime të konsiderueshme nga automjetet. Kjo është hera e tretë brenda një harku kohor të këtij viti që automjetet nga shpejtësia kanë hyrë në ambientet e brendshme të banesave e lokaleve që janë në zonë, duke rrezikuar jetën e banorëve apo të klientëve që frekuentojnë baret përreth. Sipas policisë, shkak i aksidentit është thyerja e rregullave të qarkullimit rrugor dhe shpejtësia e lartë me të cilën po lëvizte automjeti.
---------------------------------------------------------------
SARANDË
Maunia në humnerë, një i vdekur, një i plagosur
SARANDË- Një maune u rrëzua dje në Qafë-Muzinë, ku për pasojë humbi jetën shoferi dhe u plagos rëndë një pasagjer. Aksidenti ndodhi në orën 14:30, ndërsa më pas forca të shumta policie mbërritën në vendngjarje për të nxjerrë nga humnera automjetin. Uniformat blu bëjnë të ditur se drejtuesi i mjetit ka humbur kontrollin në kthesat e shumta në Qafë-Muzinë dhe për pasojë maunia e ngarkuar me xhama ka rënë në humnerë. Viktima është 20-vjeçari Ilirian Guri dhe është nga qyteti i Beratit, pasi edhe mjeti që ai drejtonte ishte me targa të Beratit. Ndërkohë ende nuk dihet identiteti i personit të plagosur, pasi ai kishte hipur gjatë rrugës, si pasagjer, në këtë makinë. Sipas policisë, ai është një burrë rreth të 40-ave dhe është në gjendje të rëndë shëndetësore. Automjeti ishte i ngarkuar me xhama dhe po udhëtonte nga Gjirokastra për në Sarandë. L.Sejdini
-------------------------------------------------------------
DURRËS
Fyen të sëmurin mendor, goditet me thikë
DURRËS - Një i sëmurë mendor godet me thikë një banor të lagjes së tij dhe arrestohet 20 minuta pas këtij akti. Ngjarja ndodhi në lagjen 18 të qytetit. Kalimtarët fillimisht kanë kujtuar se kanë të bëjnë me një debat të rastit, por kur kanë parë se tonet kanë ardhur duke u ngritur kanë nxituar që t'iu afrohen dy personave për t'i ndarë. Në këtë moment 40-vjeçari Muhamet Kokomani ka nxjerrë një thikë që e mbante me vete në xhep dhe e ka goditur debatuesin e vet në bark.
Pas kësaj skene të ndodhur në mes të ditës ai ka vrapuar dhe ka nxituar që të fshihet, por është arrestuar. Ndërkohë, i plagosuri me thikë Mehmet Hoxha është dërguar në spital ku i është dhënë ndihma e parë mjekësore. 63-vjeçari ka kaluar në reanimacion për shkak të gjendjes së rëndë.
Përveç plagës në trup, mjekët kanë konstatuar edhe një plagë tjetër në qafë të të plagosurit, e cila e kishte prekur damarët anësorë. Policia ka konfirmuar se grindja ka ndodhur për motive të dobëta. Kokomani njihej si njeri problematik, pasi për grindje më rrahje ishte shtruar edhe 2 herë të tjera në spitalin psikiatrik. Por gjatë hetimeve është vënë re se gjendja fizike e 40-vjeçarit ishte e rënduar nga një rrahje deri në gjakosje para se të ndodhte konflikti i dytë. Pas ndalimit prej bluve, Kokomani ka deklaruar se 63-vjeçari e kishte sharë dhe ofenduar, duke i thënë budalla e psikopat. Më pas edhe e kishte qëlluar me grushte. Pas kësaj ai ka marrë një thikë dhe e ka qëlluar. M.Brunga
------------------------------------------------------
FIER
"Autostrada", sekuestrohen 5 automjete
FIER - Operacioni "Autostrada" ka bllokuar pesë automjete të tipeve BMV dhe Benz. Është një aksion i Seksionit të Luftës Kundër Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Fier i cili ka përfunduar me bllokimin e pesë automjeteve luksoze. Mjetet e bllokuara janë me targa të Elbasanit, Lushnjës, Fierit dhe Vlorës dhe aktualisht ndodhen në mjediset e komisariatit të policisë në Fier.
Sipas bluve, nga verifikimi dhe kontrolli i dokumentacionit të këtyre automjeteve, të cilat janë ndaluar nga postblloqe të policisë rrugore, ka rezultuar se ato janë të vjedhura. Në këto kushte ato u bllokuan dhe u sekuestruan, ndërsa për drejtuesit e mjeteve ka filluar procedimi penal në gjendje të lirë, për akuzën e "trafikimit të mjeteve motorike".
--------------------------------------------------
OPERACIONI/ Policia ka vënë në pranga Sokol Kallmin për vrasjen e shtetasit Nuredin Myzyri
Berat, vrau në '97-n, arrestohet pas 12 vjetësh
BERAT - Është vënë në pranga 36-vjeçari Sokol Kallmi, ndërkohë që dy shokët e tij, Saimir Gegolli dhe Artan Keçi, janë shpallur në kërkim. Të tre personat akuzohen për vrasjen e Nuredin Myzyrit, ngjarje kjo e ndodhur më 5 korrik të vitit 1997 në lagjen periferike "Uznovë" të Beratit.
Gjithçka është realizuar nën siglën e operacionit "Konspiracioni", organizuar nga sektori kundër krimeve të rënda në Drejtorinë e Policisë së Beratit në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor të Vlorës. 36-vjeçari Kallmi, i dënuar njëherë për veprën penale të vjedhjes me dhunë, sipas njoftimit të policisë së Beratit, u arrestua një ditë më parë dhe akuzohet për veprën penale të vrasjes me paramendim të kryer në bashkëpunim me shtetasit Artan Keçi dhe Saimir Gegolli, të cilët ndodhen në kërkim, pasi prej disa vitesh ndodhen jashtë vendit.
I arrestuari Sokol Kallmi dhe të shpallurit në kërkim, akuzohen për vrasjen e Myzyrit, hetimet për të cilin kishin filluar qysh në vitin 1997 dhe u zbardhën pas 12 vjetësh. Sipas informacioneve të marra, në vitin 1997 viktima ka qenë duke udhëtuar bashkë me disa persona të tjerë me një automjet të tipit "Zis", nga qyteti i Beratit në drejtim të Poliçanit. Pikërisht në vendin e quajtur "Qendra e Uznovës", u kanë prerë rrugën Sokol Kallmi, Artan Keçi dhe Saimir Gegolli, të cilët nën kërcënimin e armëve kanë zbritur pasagjerët nga karroceria e mjetit dhe pasi i kanë detyruar të bëjnë veprime të pakontrolluara, deri në shtrirje për tokë, kanë ekzekutuar shtetasin Nuredin Myzyri. R.Dosti