Godina e ushtarakëve, pezullohet urdhri i ministrit për rikonstruksion
KUÇOVE – Godina trekatëshe, e quajtur shtëpia e ushtarakëve në Kuçovë, është drejt shkatërrimit. Prej vitesh askush nuk ka vënë dorë për të rikonstruktuar ambientet që janë krejtësisht të amortizuara. Kjo godinë u shërbeu për rreth 40 vjet ushtarakëve dhe pilotëve, si: Niko Hoxha, Vasil Andoni, Agim Balili, etj. Po të futesh sot brenda në ambientet e kësaj godine do të shohësh dhoma të shkatërruara apo të djegura, të cilat janë kthyer në vatra infeksionesh. Në të janë vjedhur të gjitha pasuritë që ndodheshin, si dhoma gjumi, divane, kolltukë e pajisje të tjera shtëpiake. Përballë kësaj gjendjeje të krijuar, ministri i Mbrojtjes Arben Imami dërgoi para pak kohësh dy inspektorë kontrolli. Ata verifikuan situatën në këtë institucion nga ku konstatuan faktin se godina ndodhej në gjendje katastrofike. Pas kontrollit të kryer, ministri dha një urdhër që në këtë godinë të rifillojnë punimet për rikonstruksionin e saj. Urdhri gjeti zbatim të menjëhershëm, por për habi, një javë më pas punimet u ndërprenë. Drejtori i filialit të shtëpive të ushtarakëve të qarkut Berat, Faredin Haxhialiu, u shpreh se pas kontrollit të ministrisë filluan punimet, fillimisht me pastrimet, lyerjet me bojë dhe sistemimet. Por kur mendohej se çdo gjë po ndryshonte, nisën edhe pengesat për rikonstruksionin e kësaj godine. Burime nga shtëpia e ushtarakëve të Beratit bënë të ditur se, pengesa e krijuar këto ditë ka ardhur nga individë të veçantë në qendër në bashkëpunim me persona të tjerë. Me sa duket ata kërkojnë që kjo godinë të shkatërrohet dhe më pas ata ta privatizojnë. Aktualisht godina trekatëshe në Kuçovë është objekt shtetëror dhe menaxhohet nga Ministria e Mbrojtjes. Në ambientet e saj ndodhet një lokal, qeranë e së cilës e menaxhon ky dikaster. Gjithashtu, në disa dhoma që kanë mbetur pa u shkatërruar jetojnë disa ish-ushtarakë nga Kuçova. Godina me 70 dhoma gjithsej ka shërbyer prej shumë vitesh për pilotët e ushtarakët, jo vetëm për mensa, por për shumë prej tyre edhe si akomodim familjar. Drejtues të shtëpisë së ushtarakëve denoncojnë ndalimin e punimeve për rikonstruktimin e godinës. Sipas tyre, ka qenë vetë ministri që urdhëroi që shtëpia e ushtarakëve të përfshihej në një rikonstruksion total, pasi ajo është shkatërruar dhe rrezikon shembjen. d.xh