Godina gati në shembje rrezikon 25 familje
KORÇE - Këshilli Bashkiak i Korçës miratoi një fond modest për rikonstruksionin e ish-konviktit të shkollës së ndërtimit. Aktualisht në këtë godinë jetojnë 25 familje me 100 banorë. Ndërtesa është tejet e amortizuar dhe banorët jetojnë në të në kushte mizerabël. Përballë ankesave të përhershme të banorëve dhe dëshirës së mirë për të shmangur një "Gjirokastër të dytë", bashkia miratoi dje fondin prej 400 mijë lekësh për pjesët anësore që janë gati në të shembur. Kjo godinë prej disa vitesh është në pronësi të bashkisë. Për shkak të amortizimit të rrjetit hidraulik, në të dyja skajet e konviktit ku gjenden edhe banjat, lagështia ka krijuar dëme të rënda. Disa pjesë të mureve kanë rënë. Banorët kanë kërkuar prej dhjetë vitesh që të vihej dorë, pasi ndërtesa rrezikon t'i zërë brenda. Ata hedhin alarmin se godina mund të shembet dhe do t'i zërë brenda. Duket se ngjarja e ndodhur në Gjirokastër shërbeu si alarm për Bashkinë e Korçës për të drejtuar sytë nga kjo godinë. Mësohet se 16 familje u shpërngulën për t'i hapur rrugë rindërtimit, duke u strehuar në vende të tjera. I fundit që u largua ishte Banush Laloti, babai i 6 fëmijëve. "Kur hyra këtu në 1993, zura një dhomë të konviktit, me idenë të rrija ca kohë sa të më jepnin ndonjë hyrje apartamenti. Po u bënë 15 vjet dhe unë mbeta këtu. Po jetojmë në kushte mizerabël", u shpreh ai. Sipas projektit të hartuar nga bashkia, brenda dy muajsh do të prishet pjesa veriore e godinës. Ekspertët që kanë parë gjendjen në vend prej vitesh e kanë cilësuar atë me rrezik shembjeje. Kreu i bashkisë, Niko Peleshi, u shpreh se "Ligji e parashikon që ne mund të ndërhyjmë në godina të tilla që janë me rrezik shembje. Po e rrëzojmë dhe do ta ndërtojmë përsëri me fonde të bashkisë". j.gj