Festat, aktivitet në burgun e Bënçës
TEPELENE - Të burgosurit e Institucionit të Riedukimit në Bënçë të Tepelenës kanë përjetuar dje ditën më të gëzuar për këtë vit në 4 vitet e fundit. Një koncert artistik me këngë nga këngëtarë dhe grupe të njohur vendas, i ka nxjerrë në diell të 140 të burgosurit, të cilët kanë kënduar dhe vallëzuar së bashku me artistët e mbërritur enkas për ta. Këngëtarë dhe grupe artistike kanë marrë pjesë në këtë aktivitet, pa kurrfarë shpërblimi financiar. Drejtuesi i burgut të Bënçës, Qamil Xhemili u shpreh se aktiviteti i djeshëm u organizua me rastin e festave të Krishtlindjes dhe Vitit të Ri. "Aktiviteti synonte të argëtonte këtë pjesë të shoqërisë shqiptare, e cila është e izoluar për shkak të dënimeve të marra nga gjyqësori", u shpreh ai. Burgu ndodhet në fshatin Bënçë, 7 km në veriperëndim të qytetit të Tepelenës. Aktualisht në këtë burg vuajnë dënimet e marra nga gjyqësori 65 persona ndërsa 75 të tjerë, presin të dalin në gjyq.