E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fier, në Kreshpan varret rrëzë themeleve të shtëpive

 

FIER - Banorët e fshatit Kreshpan në Fier prej disa vitesh i varrosin të afërmit e tyre rrëzë themeleve të shtëpive. Varrezat aktuale të fshatit janë tejmbushur dhe nuk ka më vende për të varrosur viktimat. Kërkesa e banorëve drejtuar komunës ende nuk ka gjetur një zgjidhje, për shkak se ajo e ka të pamundur shpronësimin. Të ndodhur në një situatë të tillë, familjarët e Kreshpanit kanë hapur varreza pranë oborreve të tyre. "Ndihemi keq kur kujtojmë se afër shtëpive tona kemi varrin e një familjari. Këtë zgjidhje e kanë bërë thuajse gjithë banorët, pasi nuk kanë se ku t'i varrosin të afërmit e tyre. Pothuajse në të gjitha shtëpitë e fshatit, diku në oborr, ndodhet i groposur një prej të afërmve... Nuk u tregojmë fëmijëve për një gjë të tillë, pasi frikësohen. Na detyrojnë kushtet që t'i kthejmë kopshtet në varreza, e të vendosim lule aty ku në të vërtetë ato duhet të çelin natyrshëm". Kështu u shpreh njëra nga banorët e Kreshpanit. Mësohet se në një prej shtëpive të këtij fshati ndodhen të groposur fare pranë themeleve një çift të moshuarish, të cilët kanë ndërruar jetë vitin e kaluar. Përveç makthit e frikës, banorët ndihen të rrezikuar nga ndonjë epidemi e mundshme. Ata konsumojnë ujë nga burimet e fshatit, e cila për nga vetë struktura e saj është kodrinore. Dekompozimi i trupave, sipas tyre mund të sjell ndotje dhe epidemi nëpërmjet filtrimit nga nëntoka. "Trupat e pajetë dekompozohen, e në bashkëveprim me ujërat e nëntokës shkarkohen në burime e çezma, që i përdorim edhe për të pirë. Jemi një komunitet prej 4500 vetësh dhe të mendosh që furnizohemi në pjesën më të madhe me ujë burimi" pohuan banorë të fshatit. Të pyetur rreth kësaj problematike, burime nga komuna bënë të ditur se vitin e ardhshëm do të zgjidhet kjo situatë.                   m.r

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›