Goditën patrullën e policisë, kapen tre të rinjtë
Korçë Për të rinjtë e dehur, pranga se goditën patrullën policore. Tre të rinj nga Korça kanë dashur të bëjnë sjelljen e të “fortëve” edhe me uniformat blu, teksa kanë shkaktuar një katrahurë të vërtetë në një postbllok policie. Për fat të mirë rrëmuja e tyre nuk ka shkuar deri në gjakderdhje, ndonëse të arrestuarit e policisë lokale kanë qenë në prag të një ngjarjeje që mund të merrte përmasa. Për fat të mirë ata janë ndaluar në kohë, ndërsa do t’u duhet të përballen me drejtësinë për një sërë veprash penale. Duke iu referuar burimeve zyrtare të policisë lokale, mësohet se shtetasit Dhimitraq Gulimaçi, 27 vjeç; Sotiraq Lece, 27 vjeç; si dhe Aristel Lame, 23 vjeç; të tre banorë të Korçës, janë arrestuar në kushtet e flagrancës nga uniformat blu pak para mesnatës së kaluar. Të rinjtë e lartpërmendur në bashkëpunim me njëri-tjetrin gjatë natës së kaluar kanë kundërshtuar, fyer dhe goditur punonjësit e patrullës së përgjithshme të policisë në një postbllok brenda në qytet. Sipas të njëjtave burime, të rinjtë udhëtonin në një automjet së bashku, duke shkaktuar panik në qytet, teksa nuk kanë dashur të ndalojnë në postbllok. Madje, jo vetëm kaq, por kanë nisur të konfliktohen ashpër me patrullën policore, duke shkaktuar panik të vërtetë. Pas bllokimit të menjëhershëm të tyre mësohet se të rinjtë e dehur akuzohen për “Fyerje për shkak të detyrës”, “Kundërshtim të punonjësit të policisë” dhe “Mosbindje e urdhrit të ligjshëm të punonjësit të policisë”. I.V.