E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sherri i çastit, emigranti vret 45-vjeçarin e plagos të birin

Policia ka bërë të mundur arrestimin e autorit të ngjarjes, i cili kishte pak ditë që kishte ardhur në Shqipëri pasi ishte emigrant në Angli

SHKODËR Një sherr i çastit mes dy të rinjve i ka kushtuar jetën një 45-vjeçari që ishte dhe babai i njërit prej tyre. Në fakt sherri mes tyre ka shërbyer si pretekst që xhaxhai i njërit prej protagonistëve të sherrit të hakmerrej për nipin e tij, duke lënë të vdekur 45-vjeçarin Xhevdet Metaj, e plagosur djalin e tij.

Ngjarja

Një i vrarë dhe i një plagosur është bilanci i një konflikti të ndodhur në qytetin e Koplikut në Malësi të Madhe. Xhevdet Metaj, 45 vjeç, banues në Koplik, ka gjetur vdekjen në orët e para të së martës në spitalin ushtarak të Tiranës, ku ishte dërguar për mjekim pas plagosjes në qendër të Koplikut. Ngjarja ka ndodhur në mbrëmjen e së hënës në qytetin e Koplikut, ku djali i viktimës Erion Metaj, 18 vjeç, është përfshirë në një konflikt me një 21-vjeçar po nga Kopliku. Ky ka shkuar te xhaxhai i tij Rasim Haxhija, 45 vjeç, banues në Koplik dhe i ka treguar për konfliktin që ka patur. Sipas policisë, mësohet se ka qenë 45-vjeçari Rasim Haxhija që ka marrë një armë zjarri pistoletë që e mbante pa leje dhe pasi ka parkuar autoveturën në rrugën kryesore të qytetit të Koplikut ka shkuar në këmbë te kryqëzimi ku ndahen rrugët që të çojnë drejt Hanit të Hotit dhe Koplikut të Sipërm.

Aty ai ka ndeshur babë e bir dhe ka qëlluar katër herë me pistoletë mbi të dy, duke i plagosur. Të dëmtuarit janë dërguar me shpejtësi në spitalin e Shkodrës me plagë në këmbë e kofshë, ku Xhevdet Metaj është dërguar drejt spitalit ushtarak në Tiranë për trajtim më të specializuar. Plumbi i marrë në kofshë ka prekur arterien kryesore dhe kjo ka bërë që orët e para të së martës ai të humbasë jetën.

Arrestimi

Policia ka bërë të mundur identifikimin e autorit dhe arrestimin e tij disa orë pas ngjarjes. Është sekuestruar në cilësinë e provës materiale arma e zjarrit pistoletë tipi TT, së bashku me një krehër me 3 fishekë, me të cilën autori ka kryer krimin. Materialet në ngarkim të shtetasit Rasim Haxhija iu kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprën penale të “Vrasjes me dashje”, “Plagosje e lehtë me dashje” dhe “Armëmbajtje pa leje”. Djali i viktimës, Erion Metaj, mësohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Autori i ngjarjes mësohet se është emigrant në Angli dhe kishte ardhur me pushime.

Diana Kolaj

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›