E Shtunë, 31 Tetor 2026

Goditet arbitri në Tiranë, në Ersekë plasin grushtat

ERSEKE-Superliga është përfshirë sërish nga episode të dhunshme dhe incidente në ndeshjet e luajtura dje. Probleme ka patur në Ersekë, ku përfundimi i ndeshjes ka qenë me goditjen e një lojtari të Laçit, por edhe në kryeqytet, ku arbitri anësor është goditur me shpullë nga kapiteni i Flamurtarit. Duke parë situatën e skuadrave, tensioni ka qenë i lartë në çdo ndeshje të zhvilluar dje. Në "Qemal Stafa", Dinamo ka arritur të fitojë 1-0, falë golit të shënuar nga argjentinasi Souza 5 minuta para përfundimit. Ka qenë një goditje këndi, që ka sjellë një rrëmujë në zonë dhe më pas erdhi goli i bluve. Afrikani Diop e preku topin me finte përpara se Souza ta dërgonte në rrjetë, por sipas lojtarëve vlonjatë Diop ishte jashtë loje. Protesta ishin vërtetë të ashpra, ndërsa kapiteni i Flamurtarit Halim Begaj nuk i ka kursyer një shpullë anësorit Emiljano Biçaku, ndërsa e ka sharë vazhdimisht nga motra. E gjithë kjo ndodhi përpara të gjithë gazetarëve vetëm 5 larg tribunës VIP, ç'ka e bën ngjarjen vërtetë të rëndë. Arbitri Lorenc Jemini nuk ia kurseu kartonin e kuq, por në fakt Begaj rrezikon edhe një pezullim të gjatë nga ana e organeve disiplinore të Federatës. "Jam totalisht kundër sjelljes së lojtarit tonë dhe për këtë do të kemi një analizë gjatë javës, - tha trajneri i Flamurtarit Gugash Magani pas ndeshjes. - Dihet që në momente të tilla ka nerva". Përpos kësaj, pjesa tjetër e ndeshjes Dinamo-Flamurtari ishte fair-play. Blutë dominuan, por edhe vlonjatët zhvilluan një nga ndeshjet e tyre më të mira, duke u mbrojtur për 85 minuta pa lejuar thuajse asnjë rast të pastër në zonën e tyre.
Gramozi-Laçi
Ndërkohë, ka përfunduar me grushta dhe incidente të shumta ndeshja e zhvilluar në Ersekë mes Gramozit dhe Laçit. Miqtë kanë fituar 2-1, falë golave të shënuar nga Nora në minutën e 75-të dhe Jushi në të 96-tën, ndërkohë që për vendasit shkurtoi në minutën e 97-të Hyseni. Megjithatë, më shumë se sa kjo, takimi u bë interesant për ngjarjet e rënda në fund të tij. Thuajse gjatë gjithë ndeshjes ka patur probleme, pasi tifozët kanë hedhur gurë pambarimisht ndaj skuadrës mike. Por, pas shënimit të golit nga Nora, gjendja është acaruar më shumë. Tifozët në fakt e kanë patur më shumë me abitrin Kridens Meta sesa me skuadrën kundërshtare, ndërsa lojtarët në fushë kanë menduar ndryshe. Futbollistët e Gramozit kanë goditur atë të Laçit Jetmir Nino, që sipas kurbinasve është çuar në spital thuajse në gjendje koma. Po ashtu, i janë thyer xhamat edhe autobusit të Laçit, ç'ka konfirmon situatën e rëndë të krijuar në përfundim të këtij takimi. Gramozi mbeti në vendin e parafundit në renditje me vetëm 11 pikë pas 13 javësh kampionat.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›