E Shtunë, 31 Tetor 2026

OKB pezullon fondet për Kinën

Zyra e OKB-së, përgjegjëse për menaxhimin e tregtisë së karbonit, pezulloi miratimin e disa dhjetëra projekteve të Kinës për parqe të energjisë së erës, pasi u zbulua se qeveria kineze po përdorte politikën e vet industriale për të përfituar para nga skema e krediteve të karbonit. Kina ka qenë deri më sot përfituesi më i madh i të ashtuquajturit Mekanizmi i Zhvillimit të Pastër, një sistem që transferon para nga vendet e pasura te vendet në zhvillim, me qëllim që të ulet emetimi i gazrave të efektit serë. Kina ka përfituar 153 milionë kredite karboni me vlerë të përgjithshme prej 1 miliardë dollarësh, shifër kjo më e lartë se gjysma e totalit të emetuara nga programi i OKB-së. Vendet e industrializuara mund të plotësojnë një pjesë të detyrimeve që u takojnë nga protokolli i Kiotos, për të luftuar ngrohjen e botës përmes financimit të projekteve që kufizojnë emisionet e gazrave në vendet në zhvillim. Projektet kualifikohen për të përfituar kredite nëse aplikantët vërtetojnë se nuk do të mund të ndërtoheshin në kushtet e tregut të hapur. Por u zbulua se Kina qëllimisht po paraqiste projekte jorentabël, që kompanitë e saj të përfitonin para nga skema.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›