E Shtunë, 31 Tetor 2026

Goditet banda e "Benz"-ave luksozë

 

DURRES - Goditet një rrjet që grabiste autovetura luksoze në Durrës. Shërbimet e Seksionit të Luftës Kundër Pronës kanë finalizuar me sukses operacionin e koduar "Gjurma". Në shënjestër të keqbërësve ishin autoveturat e markës së njohur "Mercedes Benz". Në pranga ka përfunduar shtetasi Mariglen Miftari, lindur në Fier e banues në Paskuqan Tiranë, ndërsa bashkëpunëtori i tij, student i juridikut në një universitet privat, Dritan Selmani është shpallur në kërkim. Policia ka dyshime të forta se ata kanë vjedhur në afërsi të një kompleksi privat autoveturën tip "Benz 300 D" me targa 544 KS 390, pronë e shtetasit M.R., banues në Prizren Kosovë. Gjatë kontrollit të banesës së shtetasit Mariglen Miftari, u bë e mundur gjetja e bllokimi në cilësinë e provës materiale e autoveturës në fjalë si dhe e disa çelësave e pajisjeve, të cilët dyshohet të jenë përdorur nga personat në fjalë për vjedhjen e automjeteve. Në vijimësi të kontrolleve të ushtruara, në banesat e të afërmve të këtij shtetasi, u gjetën edhe 3 autovetura të tjera tip "Benz", të cilat mendohet të jenë vjedhur në zonën e plazhit të Durrësit gjatë këtij sezoni veror. Ndërkohë gjatë kontrollit të banesës së shtetasit Dritan Selmani u bë e mundur gjetja e sekuestrimi në cilësinë e provës materiale e disa pjesëve xhenerike e motorike të autoveturave të vjedhura në zonën e plazhit të Durrësit. Gjithashtu në këto kontrolle policia ka gjetur në banesën e studentit të juridikut edhe heroinë në sasinë prej 82,4 gramësh. Pas këtij kontrolli u bë shpallja në kërkim për shtetasin Dritan Selmani, i cili akuzohet për veprën penale të "vjedhjes në bashkëpunim" dhe "prodhimit e shitjes së lëndëve narkotike".            o.u

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›