E Shtunë, 31 Tetor 2026

Goditet banda e grabitësve, në 13 ditë 6 vjedhje



Policia ka goditur një grup prej pesë personash, të cilët kishin kryer gjashtë grabitje brenda 13 ditëve gjatë këtij viti. Sektori Kundër Krimeve të Rënda në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Tepelenë, organizuan operacionin “Vjosa”, ku shkatërruan një grup kriminal që vidhte banesa dhe lokale në rrethin e Tepelenës. Agjentët kishin grumbulluar në rrugë operative informacione për disa persona, të cilët dyshoheshin si autorët e mundshëm të një seriali vjedhjesh në disa fshatra të rrethit Tepelenë. Në prangat e uniformave blu ranë Luan Caca, 38 vjeç, lindur në Xhafaj - Tepelenë dhe banues në Tepelenë; Erjon Balliaj, 26 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Mamaj - Tepelenë; Jonid Haxhiraj, 21 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Veliqot - Tepelenë; Haxhi Salaj, 25 vjeç, lindur dhe banues në Dhëmblan në Tepelenë dhe Klodjan Musara, 27 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Luzat - Tepelenë. Pas hetimeve të kryera, agjentët e policisë provuan se të pesë personat kanë kryer gjashtë grabitje nga 27 janari i këtij viti deri më 10 shkurt. Kështu, në datën 27.01.2009 kanë vjedhur me thyerje lokalin e shtetasit E.A., në vendin e quajtur Uji i Ftohtë Tepelenë, ku kanë marrë sende të ndryshme, të cilat kapin vlerën monetare të 800 mijë lekëve të vjetra. Në datën 02.02.2009, në fshatin Dhëmblan kanë vjedhur me thyerje lokalin e shtetasit A.M., ku kanë marrë 15 steka cigare të markave të ndryshme, një stabilizator energjie dhe 3 mijë lekë të reja, ndërsa në datën 02.02.2009, në fshatin Dhëmblan kanë vjedhur me thyerje lokalin e shtetasit B.M., ku kanë marrë 14 steka cigare, një stabilizator energjie, 4 karta rimbushëse dhe 7 mijë lekë të reja. Një ditë më vonë, në orët e para të mëngjesit në fshatin Dhëmblan kanë vjedhur me thyerje lokalin e shtetasit A.K., ku kanë marrë 2 steka cigare dhe 4 mijë lekë të reja. Në datën 06.02.2009, gjatë natës në fshatin Nivicë të rrethit Tepelenë kanë vjedhur me thyerje lokalin e shtetasit S.L., ku kanë marrë 70 steka cigare të markave të ndryshme, 36 karta rimbushëse të kompanisë AMC dhe “Vodafone”, një aparat dixhital, 4 karta rimbushëse dhe 2 mijë lekë të reja, ndërsa pas katër ditësh gjatë natës në vendin e quajtur Kalivaç - Tepelenë, kanë vjedhur me thyerje lokalin e shtetasit P.Rr., ku kanë marrë një mulli kafeje, një magnetofon të madh, 4 steka cigare dhe 20 mijë lekë të reja.

Sipas burimeve nga policia, personat e arrestuar vepronin si një grup kriminal i mirëorganizuar, të cilët për realizimin e aktivitetit kriminal përdornin automjetin tip “Benz 250”, me targa TP 1988 B, në pronësi të Luan Cacës.

Më pas, mallrat e vjedhura i fshihnin pjesërisht në lokalin në qendër të qytetit të Tepelenës, pronë e shtetasit Luan Caca, dhe pjesën tjetër nëpër banesat e tyre sipas ndarjes që bënin. Sipas policisë, këtyre personave iu gjetën dhe iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale një magnetofon, një mulli kafeje i madh, një aparat dixhital, stekat me paketa cigaresh të markave të ndryshme, pije energjike “Redbull”, pije freskuese, 80 litra raki, 2 stabilizatorë energjie, 2 telefona celularë, si dhe automjeti i markës “Benz Mercedes” me targa TP 1988 B, pronë e shtetasit Luan Caca. Gjithashtu, në lokalin e Luan Cacës u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 4 kallëpe me lëndë plasëse të llojit dinamit (gjithsej 800 gramë) dhe 26 metra fitil zjarrpërcjellës. Nga ana e specialistëve pjesëmarrës në këtë operacion, u bë dokumentimi me prova ligjore i të gjitha vjedhjeve të kryera nga ky grup dhe materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër. Të pestë personat e arrestuar janë shoqëruar për në qelitë e paraburgimit, në pritje për të dalë përpara gjykatës për të marrë masën e arrestit. Ata akuzohen për kryerjen e veprës penale të “vjedhjes, të kryer në bashkëpunim”.

Personat e arrestuar

Luan Caca, 38 vjeç, lindur në Xhafaj - Tepelenë dhe banues në Tepelenë

Erjon Balliaj, 26 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Mamaj- Tepelenë

Jonid Haxhiraj, 21 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Veliqot Tepelenë

Haxhi Salaj, 25 vjeç, lindur dhe banues në Dhëmblan të Tepelenës

Klodjan Musara, 27 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Luzat - Tepelenë

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›