E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grabitet babai i emigrantit, vdiq në aksident në Itali

Ardian Kuçi, u arrestua javën e kaluar pas përfundimit të hetimeve nga prokuroria për vjedhjen e 15 mijë eurove

Ramazan Metalla, kishte denoncuar një vit më parë, se nuk po merrte dëmshpërblimin e dhënë nga italianët

TIRANË- Babai i një emrigranti të vdekur në një aksident në Itali, ka rënë pre e mashtrimit të një kushëriri të tij, për marrjen e dëmshpërblimit të caktuar nga autoritetet e vendit fqinj, për vdekjen e emigrantit. Për Ramazan Metallën, 15 mijë eurot e caktuara nga një Gjykatë italiane si dëmshpërblim, më tepër se vlerë monetare kishin për të një vlerë morale për të birin e vdekur në një aksident. Për të marrë dëmshpërblimin në duar ndonëse, ai nuk kishte vlerën e jetës së të birit, Ramazan Metalla, ka kontaktuar me kushëririn e tij, Adrian Kuçi në kryeqytet. Ky i fundit, sipas burimeve të policisë dhe prokurorisë, kishte një zyrë për Administrim dhe Këshillim Ligjor, nëpërmjet së cilës do të sillte në Shqipëri, ato pak para të fituara me fat të keq me gjakun e të birit. Ndryshe nga sa kishte shpresuar Ramazani tek kushëriri i tij, që i kishte premtuar marrjen e parave, Kuçi jo vetëm që nuk ia ka dorëzuar këto para babait fatkeq, por edhe e ka mashtruar ato duke marrë vetë shumën prej 15 mijë eurosh. Sipas prokurorisë, Kuçi ka arritur të tërheqë shumën e parave, nëpërmjet dokumenteve të falsifikuara që kishte arritur të realizonte me emrin e Metallës. Për këtë mashtrim të kryer nga 48- vjeçari Kuçi, prokuroria e Tiranës, kishte nxjerrë urdhër arresti, të ekzekutuar nga policia e kryeqytetit më 5 shkurt. Për këtë vjedhje të babait të emigrantit, nga Kuçi, dje Gjykata e Tiranës, ka kryer komunikimin e masës së arrestit ndaj 48- vjeçarit Ardian Kuçi, banues në rrugën "Hodo Beg".
Vjedhja
Më tepër se një vit më parë, Ramazan Metalla, nisi procedurat për marrjen e dëshmpërblimit që ishte caktuar për vdekjen aksidentale të të birit, pas një kalvari gjyqesh. Një zyrë ligjore në Milano,i kishte komunikuar Metallës se duhej të merrte një shumë prej 15 mijë eurosh dhe menjëherë i moshuari kishte nisur të kërkonte një zyrë ligjore për të marrë paratë. Për këtë ai komunikoi me kushëririn e tij, Ardian Kuçin, të cilit, i ka dorëzuar një pasaportë të tijën, një certifikatë dhe një prokurorë përfaqësimi, për tërheqjen e vlerës së caktuar. Sapo ka marrë dokumentet në emër të plakut, kushëriri i tij, ka mundur të nxjerrë një certifikatë tjetër me emrin Ramazan Metalla dhe me foton e tij. Paratë kanë mbërritur nga Italia, pas dërgimit të dokumentacionit dhe një numri llogarie të hapur nga vetë Kuçi. Ndërkaq, babai i emigrantit, priste t'i merrte ato. Vonesën e parave, Ardian Kuçi, ia ka argumentuar Metallës, me faktin se autoritetet italiane i kishin bllokuar dhe se kishte ende probleme ligjore dhe se paratë, ishin mbajtur nga pala italiane. Ky fakt i ri i duket se ia ka sjellë në majë të hundës plakut të gjorë, që s' ka duruar më dhe ka rendur në prokurorinë e Tiranës. Hetimi i kryer prej tyre ka zbuluar se në fakt paratë kishin ardhur nga Italia dhe se ato ishin tërhequr nga Kuçi në një nga bankat e nivelit të dytë në kryeqytet. Paratë ishin tërhequr me anë të shtatë çeqeve të ndryshme. Madje pamjet filmike tregonin fare qartë Kuçin ndërsa tërhiqte paratë në sportel. Si dokument identifikimi, Kuçi, kishte paraqitur një certifikatë me emrin e Ramazan Metallës. Përfundimit i hetimit të nisur një vit më parë nga prokuroria e Tiranës është kurorëzuar edhe me arrestimin e Ardian Kuçit, nga policia me akuzën e "vjedhjes së bankave" me urdhër të prokurorisë së kryeqytetit.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›