Dëshmia e njeriut që ka jetuar me Shoshorin
Bardhi Metaj është një burrë jashtëzakonisht i veçantë. Një shqiptar i rrallë, emrin e të cilin fillimisht e përmendin bashkëvuajtësit e Hysen Shoshorit. "I hapi derën e shtëpisë dhe ndau kafshatën e varfër të bukës me të. Nuk e njihte më parë, por bëri një sevap të paharrueshëm",- tregojnë disa nga ta që e njohin mirë historinë e Shoshorit dhe pretendimin e tij kundër kryeministrit Sali Berisha. Vetë Metaj tregon rrethanat në të cilat është njohur me Shoshorin. "Ishte 17 marsi i 1991, krejt rastësisht në mbrëmje hipa në një autobus që sillte të burgosurit e fundit nga Saranda në Tiranë. Isha me gjithë bashkëshorten time, Fatmirën kur rastësia na uli pranë Hysenit. Nuk e kisha njohur kurrë më parë, por kisha dëgjuar diçka për të",- thotë Metaj, edhe vetë i rritur jetim me një baba të pushkatuar nga komunistët që kur ai kishte qenë foshnje. "Insistoi ime shoqe. Ajo më tha se Hyseni nuk kishte ku të shkonte dhe ne e morëm në shtëpi. Ai ngjante si Zhan Valzhani tek Të mjerët, i luajtur nga Zhan Gabeni. Kishte një personalitet të fortë. Është hera e parë që dikush më pyet për të. Vetëm në vitin 1991, në gazetën Republika Maks Velo e përmendte këtë fakt dhe madje e krahasonte veprimin e bashkëshortes sime me atë të Nënë Terezës. Por nuk ishte tamam kështu. Them se çdo shqiptar do ta bënte një gjë të tillë",- pohon Metaj, dy vajzat e rritura të të cilit, ende e quajnë Hysenin "Gjysh".
Më pas, Shoshori largohet nga miqtë e tij të rinj dhe vendoset për ca kohë tek të motrat. Dhe më tej akoma, shkon të banojë tek një tjetër mik i tij. Ende nuk ka një banesë të vetën. I sëmurë nga mosha, por ende i paepur nga shpirti i tij rebel, Shoshori, ky njeri me një jetë të pabesueshme, madje nuk ka asnjë fotografi të vetën. Miqtë e tij të shumtë thonë se ai nuk e donte foton. "Ishte krejt i veçantë dhe koha e djeshme që e vrau dhe e sotmja që e ka lënë në harresë, i kanë këtij burri një borxh të pafundmë",- thonë miqtë e tij.