E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërcënon me jetë nënën dhe motrën, arrestohet

VLORË- Policia e Vlorës ka arrestuar dje një 40-vjeçar pasi në gjendje të dehur ka rrahur dhe kërcënuar se do të vrasë me armë nënën dhe motrën. I arrestuari është Qezar Gjomema, i cili nuk njihej nga policia si kontingjent kriminal. Gjatë kontrollit në banesën e tij policia ka gjetur edhe një radio policie, një pistoletë, një silenciator, një antiplumb, një fenelinë policie, si dhe 100 gram bimë narkotike kanabis sativa. Sipas policisë, 40- vjeçari, i divorcuar, është grindur me nënën dhe motrën e tij me të cilat jetonte. Në zënkë e sipër, ai ka ushtruar dhunë ndaj tyre dhe më pas i ka kërcënuar se do t'i vriste me një automatik që mbante pa leje. Sherri në familjen Gjomema është dëgjuar nga fqinjët, që pasi kanë dëgjuar zhurmën e madhe, kanë njoftuar policinë. Policia ka mbërritur shumë shpejt në banesën ku ndodhi konflikti, në lagjen "Rilindja", në zonën pranë ish- shkollës së Naftës.

-------------------------------------------

Zjarri shkrumbon magazinën në autostradë

DURRËS- Një zjarr i përmasave të mëdha ka djegur paraditen e djeshme një magazinë në autostradën Tiranë- Durrës, rreth 150 metra pranë mbikalimit të Fllakës. Flakët e zjarrit janë konstatuar nga një punonjës i hekurudhës, rreth orës 10.05 minuta. Ai ka njoftuar me telefon policinë, e cila ka dhënë alarmin për këtë situatë të rëndë. Kanë qenë tetë zjarrfikëse që kanë operuar për fikjen e zjarrit të rënë. Për të krijuar kushte pune pa rrezik nga ana e drejtuesve të OSSH-së në Durrës, është bërë ndërprerja e energjisë elektrike për gjithë zonën. Për neutralizimin e flakëve është dashur ndërhyrja e zjarrfikësve të ardhura nga Durrësi,Tirana, porti i Durrësit, Shijaku dhe Kavaja. Nga informacionet e dhëna mësohet se nuk ka pasur dëme në njerëz por vetëm dëme materiale. Sipas ekspertëve të policisë së Durrësit, të cilët bënë edhe kontrollin dhe po punojnë për ekspertizën e shkaqeve të zjarrit, pista e parë është ajo e shkëndijës elektrike por nuk përjashtohet as zjarrvënia e qëllimshme. Ky është zjarri i tretë që bie në bizneset e autostradës në harkun kohor të dy muajve.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›