E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria: Fazlliç konfirmon ardhjen në fund shkurtit

FAZLIC
Nëse miku i kryeministrit nuk paraqitet në prokurori deri me 28 shkurt, ai do të shoqërohet me forcë në zyrat e akuzës

Prokuroria iu sekuestron fshatarëve kontratat e shitblerjes së pronave nga serbo- boshnjaku në fshatrat e Durrësit


TIRANË- Prokuroria e Tiranës, bën gati listën e pyetjeve ndaj mikut të kryeministrit Sali Berisha, serbo-boshnjakut Damir Fazlliç. Ai mësohet se ka konfirmuar paraqitjen e tij para hetuesve në fund të muajt shkurt. Lajmi bëhet i ditur, nga burimet zyrtare pranë njësisë së Task- Forcë-s së kryeqytetit, të cilët shtuan se me anë të avokatëve të tij, biznesmeni Fazlliç ka lajmëruar organin e akuzës se do të jetë në dispozicion të hetuesve brenda datës 20 dhe 25 shkurt. "Prokurorët e çështjes Besnik Cani dhe Dritan Rreshka, gjatë komunikimeve të herë pas hershme me mbrojtësit ligjorë të personit nën hetim, shtetasit serbo-boshnjak Damir Fazlliç, avokatët Genc Gjokutaj dhe Ibrahim Lahi janë njoftuar se miku i kryeministrit, nuk mund të paraqitet më datën 15 shkurt, ditë kur ishte caktuar marrja e tij në pyetje. Kjo mos paraqitje, është justifikuar nga avokatët mbrojtës si pamundësi e ardhjes së klientit të tyre Fazlliç në Shqipëri, për shkak të angazhimeve të tij të mëdha në fushën e biznesit",-thanë burimet. Por, kanë qenë po këta avokatë, të cilët kanë kërkuar nga hetuesit që mes datës 20 dhe 25 shkurt të gjejnë kohë për marrjen e tij në pyetje. Sipas tyre, mes këtyre dy datave, personi nën hetim për "pastrim parash" Fazlliç, ka mundësinë të vijë në Tiranë. Sipas prokurorisë, këtë radhë, dy avokatët Gjokutaj e Lahi kanë siguruar organin e akuzës që nuk do të ketë më shtyrje datash për ardhjen e serbo-boshnjakut në kryeqytet, ku pritet të merret në pyetje për akuzat e ngritura ndaj tij për "pastrim parash". Përveç këtij fakti, burimet e akuzës shtuan se, nëse brenda datës 28 shkurt shtetasi nën hetim Fazlliç nuk paraqitet me dëshirë para hetuesve do të lëshohet ndaj tij një urdhër shoqërimi të detyrueshëm për paraqitjen në prokurori. Gjithashtu, mësohet se hetuesit e dosjes që nga tetori i vitit të kaluar kanë mbledhur një sërë provash materiale dhe kanë marrë në pyetje një numër jo të vogël personash në cilësinë e deklaruesve dhe personave që kanë dijeni për çështjen. Ndërkohë, në mesin e të pyeturve nga akuza janë edhe ortakja e studios ligjore të vajzës së kryeministrit, avokatja Flutura Kola dhe bashkëshorti i saj Florenc Kola, i cila ka qenë personi që në emër të kompanisë së personit nën hetim ka blerë 14 hektarë tokë në dy parcela në fshatin Rinia të komunës së Porto Romanos në Durrës. Përveç pyetjes së tyre, mësohet se prokuroria ka pyetur të gjithë pronarët e mëparshëm të këtyre pronave që ia kanë shitur tokën kompanisë së serbo-boshnjakut Fazlliç. Gjithashtu hetuesit kanë sekuestruar njëkohësisht të gjitha kontratat e shit-blerjes së këtyre pronave, me një çmim prej 14 euro metri katror. Sipas akuzës, të gjithë këta pronarë tokash janë shprehur të habitur se toka e tyre është e përdorshme, pasi kontraktuesit e kompanisë së Fazlliçit i kishin mbushur mendjen që këto toka janë të pa shfrytëzueshme, për shkak të përmbajtjes toksike të sipërfaqes. Ata janë shprehur se blerësit, kanë qenë korrektë në pagesat e tokës, të cilat janë kryera nga avokatja Flutura Kola dhe bashkëshorti i saj Florenc Kola. Që gjatë dëshmisë së tyre, janë shprehur se "kanë kryer veprime ligjore dhe korrekte mes shitësve të tokave dhe blerësit, serbo-boshnjakut Damir Fazlliç". Gjithashtu, gjatë javës që vjen pranë Gjykatës së Apelit do të shqyrtohet edhe ankimi i prokurorisë, që ka kërkuar pranë kësaj gjykate pavlefshmërinë e vendimit të gjyqtarit Artan Broci i cili e ka cilësuar sekuestrimin e aseteve dhe kompanive të shtetasit Damir Fazlliç të paligjshëm.


Fazlliç bleu 14 hektarë tokë me 14 euro m2

TIRANË- Njësia e Task-Force-s së prokurorisë së Tiranës pas hetimeve 4- mujore ka zbardhur të gjitha kontratat e shit-blerjes së dy parcelave në fshatin Rinia të komunës Porto Romano në Durrës, ku serbo-boshnjaku Damir Fazlliç ka blerë 14 hektarë tokë. Sipas burimeve zyrtare, mësohet se nga sekuestrimi i të gjitha kontratave të shit-blerjes ka rezultuar se kompania e drejtuar nga shtetasi Damir Fazlliç "Crown Acquisition" e cila është shitur më pas tek kompania e tij me seli në Qipro "Altarie Reserach Limited" ka blerë 140 mijë metra katror truall në dy parcela në fshatin Rinia të komunës Porto Romano në Durrës. Kjo sipërfaqe e tokës, sipas kontratave, është blerë me shumën e rreth 2 milionë eurove, që nga një përllogaritje e thjeshtë rezulton se 1 metër katror është blerë nga Fazlliç me 14 euro. Dyshohet se kjo shumë qesharake është vlerësuar pas "mashtrimit" të pronarëve të tokës që prona e tyre nuk është e vlefshme pasi është e helmuar. Sipas akuzës, kompania e personit në hetim serbo-boshnjakut Damir Fazlliç "Croën Acquisition" i ka blerë këto prona në dy parcela, ku njëra prej tyre ka kushtuar 900 mijë euro dhe tjetra rreth 1 milion e 75 mijë euro, ku në total kap një sipërfaqe prej 140 mijë metrave katror.

Abuzimet, e pandehura......................................... të jenë kryer nga Damir Fazlliç
TIRANË- Sipas prokurorisë, shtetasi Damir Fazlliç nën emrin e kompanive të tij "Crown Acquisition", të cilën ia shiti më pas kompanisë së tij me seli në Qipro "Altarie Reserach Limited" dhe kompania "Alfa" ka blerë dy prona në fshatin "Rinia" të komunës së Porto Romanos në Durrësit. Blerja kap vlerën e deklaruar të rreth 2 milionë eurove. "Nga verifikimet dhe hetimet e kryera gjatë këtyre tre muajve ka rezultuar se të dyja këto kompani të sekuestruara "Crown Acquisition" dhe "Alfa" nuk zotërojnë asnjë kapital bankar, përveç regjistrimit të themelit që kap shifrën 10 mijë lekë të reja. Që nga dita e hapjes së këtyre kompanive, shoqëritë e drejtuara nga i hetuari Fazlliç nuk kanë kryer asnjë aktivitet biznesi duke rezultuar kompani pasive. Përfundimi i këtyre hetimeve katër mujore, ngre dyshime të forta se në këto transaksione bankare të shitblerjes së kompanive kanw qenë shitje fiktive që përbën një nga elementët e kryerjes së veprës penale të "pastrimit të parave". Rezulton gjithashtu, se paratë për blerjen e këtyre pronave kanë kaluar jashtë sistemit bankar dhe shumat kanë ardhur nga burime të tjera",-mësohet nga akuza. Sipas prokurorisë, blerja e këtyre dy pronave në Porto Romano që kap shifrën rreth 14 hektarë tokë është blerë me para në dorë, duke anashkaluar pagesat e tatimeve mbi vlerën e shitjes dhe detyrimet e tjera ndaj shtetit shqiptar.

Heqja e sekuestros nga Gjykata
TIRANË- Sipas vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë, e cila liroi nga sekuestrimi të gjithë pronat dhe shoqëritë e serbo-boshnjakut Damir Fazlliç, organi i akuzës ka shkelur ligjin në bllokimin e tyre. "Prokuroria e Tiranës, edhe pas hetimeve tremujore, nuk ka arritur të sjellë prova bindëse apo dyshuese se personi nën hetim, Damir Fazlliç, ka konsumuar elementë të veprës penale të "pastrimit të produkteve të veprës penale" (pastrimit të parave). Pasi me paratë e blerjes së shoqërisë "Croën Acquisition" me 1 milion e 700 mijë euro nga kompania e tij me seli në Qipro "Altarie Reserach Limited" nuk është provuar apo sjellë ndonjë provë materiale që kjo shumë e parave është siguruar nga një vepër tjetër penale, që sipas legjislacionit shqiptar, në rast se vërtetohet se kjo shumë është siguruar nga një krim apo vepër penale përbën konsumimin e veprës penale të "pastrimit të parave" në Shqipëri"-thuhet në vendimin e gjyqtarit Artan Broci, që tashmë është apeluar nga prokuroria në Gjykatën e Apelit në Tiranë.


AKSIONERËT
TIRANË- Prokuroria e Tiranës, pas hetimeve tremujore ka arritur të sigurojë të dhëna dhe prova materiale në lidhje me pronësinë e kompanisë qipriotë "Altarie Reserach Limited", ku nga hetimi ka rezultuar se në këtë kompani janë disa aksionerë, mes tyre shtetasi Damir Fazlliç dhe pronari i kompanisë "Rudnup"-it të Austrisë, Llazareviç, ku qeveria shqiptare blen energjinë elektrike. Ky saktësim i prokurorisë, hedh poshtë edhe pretendimet e kryeministrit Sali Berisha se "serbo-boshnjaku Fazlliç nuk ka marrë asnjë qindarkë nga buxheti shtetëror", që në bazë të dokumentacioneve të sekuestruara rezulton se pronari i Rudnap-it Llazareviç është bashkëpronar tek kompania qipriotë që ka blerë 16 hektarë tokë në Porto Romano.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›