E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kush është ish-i burgosuri i ndërgjegjes

Si shpërndau Hysen Shoshori 41.100 trakte brenda 13 vjetësh dhe kalvari i gjatë në burgjet më të tmerrshme

Është ende një nga misteret e mëdha të së shkuarës. Një nga ato mistere që nga larg i ngjajnë një konspiracioni kundër një individi të cilit i kanë shkatërruar jetën, e kanë mbyllur në ferrin e burgjeve komuniste dhe tashmë, pothuaj 20 vjet mbas përmbysjes së komunizmit, edhe e mohojnë. Për tiranasit e vjetër, emri i tij ka qenë mjaft i njohur. Ai konsiderohej si një nga mendjet më të "krisura" të kohës, me një guxim të jashtëzakonshëm që krejt i vetëm, kishte vendosur të sfidonte diktaturën komuniste.
Edhe sipas aktakuzës, edhe sipas asaj që ai vetë ka pranuar fillimisht në proces e më pas edhe publikisht me gojën e tij, gjatë periudhës 1961 - 1974 ka shpërndarë 41 100 trakte. Nga gjithë ky mal urrejtje, poshtërimi publik për diktaturën, organet e saj kanë mundur të sigurojnë një sasi prej 277 copësh. Sipas Shoshorit, njërën nga ato e ka pasur kryeministri i sotëm, kurse sipas bashkëvuajtësve të tij, një tjetër trakt ishte dorëzuar nga një tjetër emër publik në Shqipëri, deri vonë diplomat. Është kurioze të theksohet se diplomati shqiptar, u penalizua fillimisht për një gjë të tillë në 1996, duke iu hequr e drejta e konkurrimit për deputet, por që më pas mundi të rifitojë pastërtinë e figurës së tij. Në gjyq, ndryshe nga sa pretendohet për zotin Berisha, ai thjesht ka shpjeguar rrethanat në të cilat ka gjetur traktin.
Sipas vendimit të gjykatës së Tiranës, të datës 10 shkurt 1975, vërtetohet se Shoshori ka pranuar se ka vepruar me ndërgjegje të plotë: "...duke pasur për qëllim që traktet t´i lexonin njerëzit që populli të bëhej sa më i pakënaqur nga Partia dhe të ngrihej për të shpëtuar nga kthetrat e diktatorëve...", shkruhet në këtë vendim. Por Shoshori nuk është ndalur këtu. Me një guxim që edhe sot ngjan i jashtëzakonshëm, ai arrinte deri aty sa të shkruante: "...ai njeri që ka një armë dhe nuk shtie në udhëheqësit kryesorë dhe në levat e tyre si të këshillave të lagjeve... është i lig, është frikacak, është servil..." Ky trakt mban datën 22 janar 1968.
Mbas një viti të gjatë në hetuesi, Shoshori fillimisht dënohet me vdekje nga gjykata e Tiranës, por në një rikualifikim vërtet të habitshëm të veprave penale me të cilat e akuzonte drejtësia komuniste, plenumi i gjykatës së lartë e dënon atë me 25 vjet heqje lirie. Më pas, për të fillon kalvari i gjatë i burgjeve. Spaç, Burrel dhe së fundi Sarandë, ku ishte nga të fundit të burgosur politikë të liruar nga burgu. Mbas 16 vjetësh në qeli, pa u vizituar kurrë nga të afërmit e tij, në 17 mars 1991, Shoshori do të kthehej sërish në Tiranë.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›