E Diel, 1 Nëntor 2026

Goditet me shkop bejsbolli, vdes në spital 27-vjeçari

SHKRUAN: Thimi Samarxhiu 02-03-2011 13:20

Policia e Tiranës arreston pronarin e një taverne në Laprakë dhe dy kushërinjtë e tij, të cilët akuzohet se kanë vrarë Alban Kolecin dhe plagosur një tjetër

Tiranë Një 27-vjeçar, i plagosur me shkop bejsbolli gjatë një sherri të ndodhur në një tavernë, ka ndërruar jetë paraditen e djeshme në mjediset e spitalit ushtarak. Alban Koleci nuk mundi t’u mbijetojë plagëve të marra gjatë sherrit, që sipas policisë kishte motive banale. Mjekët e këtij spitali shprehen se i plagosuri tjetër i kësaj ngjarjeje, 36-vjeçari Agostin Gjergjaj, është jashtë rrezikut për jetën. Policia ka arrestuar tre autorët e kësaj ngjarjeje, Ilir Perajn, 41 vjeç, pronari i tavernës “Miki” si dhe dy kushërinjtë e tij, Elis Peraj, 27 vjeç dhe Elidon Peraj, 23 vjeç. Gjatë deklarimeve të tyre në polici, të arrestuarit për vrasjen e Alban Kolecit janë shprehur se sherri ka nisur pasi dy personat në fjalë ishin të pirë dhe kishin filluar të bënin rrëmujë në lokal. Burime zyrtare nga Policia e Tiranës thonë se ngjarja në fjalë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së hënës, në Rrugën e Durrësit, në tavernën “Miki”, ku dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, tre të ndaluarit kanë goditur me sende të forta, shkopinj, në pjesë të ndryshme të trupit, duke i shkaktuar dëmtime të rënda Alban Kolecit, 27 vjeç dhe Agostin Gjergjajt, 36 vjeç. Referuar të njëjtave burime, mësohet se konflikti ka nisur pasi Koleci e Gjergjaj kishin konsumuar sasi të mëdha alkooli dhe kishin nisur të thyenin gota dhe sende të tjera brenda lokalit. Gjithashtu, nën efektin e alkoolit, mësohet se ata kishin ngacmuar dhe disa vajza që ishin në lokal. Sipas dëshmitarëve, në këtë kohë ka ndërhyrë dhe pronari i lokalit, Ilir Peraj, së bashku me dy kushërinjtë e tij për të nxjerrë jashtë dy personat. Pasi kanë dalë jashtë, të pestë kanë nisur të konfliktohen mes tyre, fillimisht me fjalë e më pas me grushte, deri në momentin kur Ilir, Elis e Elidon Peraj kanë nxjerrë dy shkopinj bejzbolli dhe kanë filluar të godasin mbi Kolecin e Gjergjajn, të cilët të shtrirë në tokë nuk kanë mundur të mbrohen nga sulmi i tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›