E Diel, 1 Nëntor 2026

Në 4 vite, 3800 shqiptarë ndërruan kombësinë

TIRANË Mbi 3800 shqiptarë, që jetojnë kryesisht në jug të vendit, brenda katër javëve të fundit kanë ndryshuar kombësinë. Nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, gjatë një takimi me anëtarët e shoqatës “Fan Noli”, ka përshëndetur shtyrjen e procesit të regjistrimit, por ka kërkuar zbatimin e ligjit dhe të rekomandimeve të fundit të Brukselit, për sa i përket vetdeklarimit të fesë. Spahiu ka kërkuar që të pritet vendimi i Gjykatës Kushtetuese, për rishikimin e ligjit të gjendjes civile dhe kryerjen e regjistrimit të popullsisë, duke hequr pyetjet mbi vetëdeklarimin e fesë dhe kombësisë.

“Duhet të presim një vendim të Gjykatës Kushtetuese, e cila sapo ka caktuar ditën e gjykimit për çështjen dhe kërkesën e kryetarit të Gjykatës së Sarandës dhe Gjykatës së Shkodrës, në lidhje me nxjerrjen antikushtetuese të dispozitave për ndryshimin e kombësisë në ligjin për gjendjen civile. Kjo i jep kohë ligjbërësve, që në këto muaj, deri në tetor-nëntor të 2011-s, të reflektohen të gjitha opinionet e grupeve të interesit apo profesionistëve, me qëllim amendimin e ligjit për regjistrimin e popullsisë”, është shprehur Spahiu. Ky regjistrim i popullsisë, në bazë të fesë dhe etnisë, bie në kundërshtim të plotë me konventat europiane dhe nuk është zbatuar në asnjë vend europian.

Por, për z.Spahiu, ky proces kërkon edhe hetimin e plotë të të gjithë nëpunësve në gjendjet civile, të cilët në këmbim të favoreve personale, apo ryshfeteve, kanë kryer falsifikime. Kreu i shoqatës “Fan Noli” i ka drejtuar një thirrje publike gjithë grupeve të shoqërisë civile, që ditën e shtunë të bëjnë një tubim, ku të ndalin regjistrimin e popullsisë, në bazë të fesë e etnisë. “Të marrin pjesë në tubimin e ditës së shtunë, për të diskutuar rrugët më të mundshme ligjore, në përputhje me Kushtetutën e Shqipërisë, për të mos lejuar regjistrimin me formularët asgjësues për kombin shqiptar, duke mundësuar një regjistrim normal të popullsisë, siç veprohet në të gjitha vendet e zhvilluara të Europës, pa deklarim të etnisë dhe të fesë”, deklaroi Nuri Dragoi, kryetar i shoqatës “Fan Noli”.

Gjyqtari i Shkodrës ka saktësuar se ky regjistrim në qytetin e tij mund të jetë burim i tensioneve të larta mes qytetarëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›