E Shtunë, 31 Tetor 2026

Goditet një bazë e trafikut të njerëzve

Hotelieri konispolat Urim Çaze dhe taksisti nga Nivica Thanas Munguli bashkëpunonin prej kohësh, duke ushtruar trafik të organizuar e të paligjshëm me kalim klandestinësh për në Greqi. Dita e djeshme ka qenë e fundit e këtij bashkëpunimi, pas operacionit të koduar "Rruga e portokalleve", që është ndërmarrë nga sektori i luftës kundër trafiqeve të paligjshme në Policinë e Shtetit, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë së Rendit dhe asaj Kufitare në Sarandë. Operacioni ka vënë në pranga 57-vjeçarin Urim Çaze, pasi në hotelin e tij, në qytetin e Konispolit, u gjetën të strehuar 13 klandestinë, që bëheshin gati të trafikoheshin për në Greqi. Dërgimi i klandestinëve në Konispol është bërë nga 29-vjeçari Thanas Munguli, banor i fshatit Nivicë, i cili ka rezultuar edhe më parë me precedentë penalë, i dënuar për veprën penale të "vjedhjes". Klandestinët e kapur janë shoqëruar në Komisariatin e Sarandës. Pasi janë marrë në pyetje, janë lënë të lirë, sepse nuk kanë rezultuar persona në kërkim. Shumë prej tyre kanë treguar se trafikuesve u kishin dorëzuar nga 700 deri 800 euro, kundrejt premtimit për t‘i çuar në tokën helene. Ndërkohë, operacioni "Rrjeta e gjelbër", që ka zgjatur tri ditë në zonën e Sarandës në Shqipëri dhe atë të Igumenicës në Greqi, është kurorëzuar me kapjen e 55 klandestinëve, në përpjekje për të kaluar në mënyrë të paligjshme kufirin tokësor me Greqinë. Pas verifikimit, ata janë lënë të lirë. Ndërkohë shefi i komisariatit të kufirit, Ilir Gjoçi, pohoi për "Shqip" se operacioni i përbashkët me homologët grekë ka shërbyer që të njihen në terren dhe të mbyllen të gjitha shtigjet.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›