E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kukës, përgjaket ndeshja e futbollit

Ndeshja e së dielës ndërmjet skuadrave të kategorisë së dytë të futbollit mes Përparimit të Kukësit dhe Tërbunit të Pukës ka lënë pas një shije të keqe, pasi menjëherë mbas ndeshjes, gjyqtarët janë rrahur egërsisht në dhomat e zhveshjes. Ndeshja ka përfunduar me rezultatin 0-1, ku Tërbuni mori tri pikë, ndërsa asnjë lojtar nuk u cenua. Konflikti kishte nisur që në fillim të ndeshjes me gjyqtarët dhe përfaqësuesit e Federatës së Futbollit. Ndërkohë, burime nga klubi i futbollit Përparimi sqarojnë se rezultati i ndeshjes ka qenë i fiksuar paraprakisht dhe gjyqtarët kanë dhënë garanci për këtë rezultat, kundrejt pagesës. Për këtë arsye, futbollistët e Përparimit nuk i kanë kursyer grushtet ndaj treshes së gjyqtarëve Lleshi, Molla dhe Doda. Në rrahje kanë marrë pjesë edhe policë të bashkisë, siç kanë pohuar gjyqtarët e rrahur, por bashkia mohon të kenë qenë policët të saj që kanë goditur gjykuesit e ndeshjes. Në incident janë përfshirë lojtarët e Kukësit dhe tre-katër tifozë. Në të është lënduar edhe shefi i Komisariatit të Kukësit, të cilin e kanë qëlluar gabimisht me mjete të forta.

Ngjarja në dhomat e zhveshjes

Dëshmitarët okularë thanë se menjëherë pas përfundimit të ndeshjes, lojtarët vendas kanë vrapuar në dhomat e zhveshjes ku kanë sulmuar me grushte gjyqtarët. Ndërkohë policia ka ruajtur korridorin e vetëm mes fushës dhe godinës së zhveshjes për të mos lejuar afrimin e tifozëve të irrituar. Këta të fundit nuk kanë arritur të bëjnë asgjë kundër gjyqtarëve, por gjithçka ka qenë vepër e vetë lojtarëve, si dhe e një numri policësh të bashkisë që kanë hyrë brenda, megjithëse askush nuk mund të thotë me siguri se cili i ka goditur mysafirët. Policia e bashkisë mohon të ketë ushtruar dhunë, ndërsa zëra të besueshëm thonë se mund të kenë qenë ish-policë të bashkisë ata që janë përfshirë në këtë akt të turpshëm. Në përpjekje për të mbrojtur gjyqtarët e sulmuar ka vrapuar drejt hyrjes së dhomave të zhveshjes edhe shefi i Komisariatit të Kukësit, Aledin Omuri, por ky ka marrë një goditje me gur apo diçka tjetër në kokë dhe është përgjakur. "Kanë hy krejt papritur disa lojtarë të Kukësit dhe dy a tre policë të bashkisë e i kanë ba llom-llom ata gjyqtarët", tha Besmir Elezi, 50 vjeç, tifoz i Kukësit. Por sidoqoftë, gjithçka mundet që ta sqarojë vetë Federata e Futbollit, që duhet të ketë kasetën e ndeshjes. Ndërkohë incidenti duhet trajtuar si një vepër antiligjore nga institucionet kompetente, pasi nuk është dhuna rruga e zgjidhjes së padrejtësisë në një ndeshje.

Policia

Opinionet e njerëzve flasin për një kontroll të plotë të situatës nga ana e policisë deri në përfundimin e ndeshjes. "Ishte tepër e vështirë të mbahej qetësia dhe të siguronim mbarëvajtjen e ndeshjes, por i gjithë incidenti ka ndodhur pas përfundimit të saj, ku ne nuk kishim kërkesë për të hyrë. Megjithatë, shumë shpejt e vumë nën kontroll situatën", tregon drejtori i Policisë së Qarkut të Kukësit, Muharrem Furriku. Ai tha gjithashtu se për incidentin ku u rrahën gjyqtarët e ndeshjes janë shoqëruar 4 persona, të cilët janë mbajtur 10 orë në komisariat për të zbardhur ngjarjen.

Ndeshja

Gazetarët sportivë: Arbitrimi skandaloz polli dhunën

Përfaqësuesit e FSHF-së i kanë kërkuar policisë së rendit që të mos lejojë praninë e kamerave në fushë, në tribunë, apo diku ku mund të fiksoheshin. Këtë e pohon edhe Policia e Kukësit, ndërsa mësohet se në fushë ka pasur një kamerë televizive të Pukës, e cila është lejuar të filmojë dhe që në të vërtetë mund të jetë edhe "thembra e Akilit" për të gjitha parregullsitë deri te rrahja e gjyqtarëve. Opinioni në Kukës, përfshi gazetarët sportivë që përcjellin lajmet në gazetat e qendrës janë që ndeshja u manipulua nga gjyqtarët, pasi "Përparimit" i kishin dhënë 5 kartonë të verdhë dhe dy kartonë të kuq, duke bërë që loja të zhvillohej me dy lojtarë mangët për këtë ekip. Rasti flagrant, siç tregon gazetari sportiv Zylfi Tola ka qenë ai i një rivënieje anësore të dhënë nga gjyqtari anësor në favor të Kukësit, ndërsa kryesori ka urdhëruar rivënien në favor të Tërbunit. Këtu ka nisur pakënaqësia e tifozëve dhe humbja e qetësisë së lojtarëve vendas. Në këto çaste, pikërisht për protestën që bëri, portieri i Kukësit u ndëshkua me karton të kuq. Rasti tjetër flagrant është ai i golit, ku dëshmitarët okularë thonë se topi kishte kaluar të paktën një metër përtej vijës fundore kur u rimor dhe u gjuajt në portë. Prandaj për të gjitha këto, FSHF-ja duhet të tregojë kasetën për t‘iu përgjigjur edhe thashethemeve të panumërta për paracaktim të rezultatit, pra shitje të gjykimit të ndeshjes. Rasti i Kukësit është një precedent me të cilin duhet të merret drejtësia për të frenuar një herë e mirë pazaret me futbollin dhe manipulimet, siç thuhet në media. Gazetari tjetër që ndoqi ndeshjen, Berzat Hasa, tregon se nuk u lejua të filmonte, dhe se siç u shpreh "asnjëherë nuk kam parë një ndeshje kaq të manipuluar, ku për faullet e pukjanëve ndëshkoheshin lojtarët e Kukësit, përfshi edhe golin që u bë me topin që u rifut në fushë, pasi kishte kaluar vijën fundore dhe që u vu re shumë mirë nga gjyqtarët. Ekipi i Tërbunit ishte një ekip i mirë dhe mund të kishte fituar pa pasur nevojë për manipulim, por këtë e ka gatuar Federata, sepse kanë bërë pazare". Një gazetar tjetër, Bekim Lekica, tregon se "ndeshja ishte parashikuar të fitohej pa meritë, kishin ardhur nga Puka 5 autobusë me tifozë, pa llogaritur autoveturat dhe pas golit të parregullt që u njoh nga gjyqtari, kanë qenë ndoshta vetë tifozët e Tërbunit që kanë gjuajtur me gurë në fushë, që ndeshja të ndërpritej".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›