Mbytet në kanal fëmija 2 vjeç
Vdes aksidentalisht vetëm pak metra larg shtëpisë fëmija dy vjeç, Klodian Bujari. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Mjedë të Shkodrës, rreth orës 12:00 të ditës së djeshme, në familjen Bujari. Nga dëshmitarë okularë të ngjarjes mësohet se Klodiani po luante pranë shtëpisë. Vetëm 50 metra larg ishte edhe kanali vaditës. Klodiani, në lojë e sipër, ka rënë në kanal. Familjarët fillimisht nuk e kanë vënë re, por më vonë janë kujtuar për të dhe kanë nisur të kontrollojnë dhe të thërrasin. Ata e kanë gjetur fëmijën në kanal, ende gjallë, dhe menjëherë e kanë dërguar në Spitalin Rajonal të Shkodrës. Por kur ka arritur në sallën e reanimacionit fëmija kishte vdekur.