E Shtunë, 31 Tetor 2026

Marinari italian vdiq nga mbidoza e heroinës

Marinari italian Françesko Volja vdiq nga konsumimi i dozave të larta të alkoolit dhe drogës. Ky është versioni zyrtar i mjekësisë ligjore të Vlorës. Policia e Vlorës sqaroi dje se Emilio Xhuliano dhe Françesko Volja u paraqitën të dielën në mbrëmje në spital, në gjendje të rëndë shëndetësore dhe të dehur. Në orët e pasdites të së dielës është paraqitur në spital edhe kolegu i tyre, Vito Nitti, gjithashtu në gjendje kritike, por që me ndërhyrjen e mjekëve i ka shpëtuar vdekjes. Të tre shtetasit italianë kanë shkuar në Vlorë me një anije tregtare të peshkimit. Ata kanë qenë mekanikë anijesh dhe gjatë qëndrimit në Portin e Vlorës do të riparonin një peshkatore. Emilio Xhuliano, Vito Nitti dhe Fançesko Volja kanë konsumuar një sasi të konsiderueshme pijesh alkoolike të llojeve të ndryshme, në një nga lokalet pranë Triportit dhe më pas janë kthyer në hotelin ku ishin akomoduar. Aty kanë konsumuar sërish pije alkoolike, si dhe doza të lëndës narkotike heroinë. Kjo e fundit ka ndikuar negativisht dhe ka rënduar shëndetin e të tre personave, por më negativisht ka ndikuar te Françesko Volja, i cili vdiq në spital. Sipas analizave mjekoligjore, vdekja e italianit 35-vjeçar ka ardhur si pasojë e përdorimit të tepërt të pijeve alkoolike dhe përdorimit të lëndës narkotike të tipit heroinë. Nga kontrolli që është ushtruar në dhomën e hotelit, ekspertët e policisë kanë gjetur edhe dy doza heroine, që janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale. Sipas policisë, heroina ishte e shtetasit italian Emilio Xhuliano, për të cilin ka nisur dje procesi hetimor.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›