E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria strehon edhe tre të dënuar të tjerë të Guantanamos

Transferimi është pjesë e paktit Shqipëri-SHBA. Arrin në 11 numri i personave

TIRANË – Pas ujgurëve, Shqipëria strehon edhe tre të dënuar të tjerë të Burgut të Guantanamos. Në zbatim të paktit që Tirana zyrtare lidhi me Uashingtonin, kësaj radhe vijnë në qendrat e azilimit edhe një shtetas me kombësi egjiptiane, një tunizian dhe një tjetër nga Libia. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se të dënuarit që kanë lënë burgjet fatkeqe mbërritën në vendin tonë dy ditë më parë. Sipas Ministrisë së Brendshme, strehimi i tre personave të fundit e ka çuar në 11 numrin e të dënuarve që ndodhen në Shqipëri. Në muajin dhjetor Tiranën zyrtare e vizitoi zyrtari i lartë amerikan Daniel Frid, ku bisedoi me zotin Berisha për transferimin e disa personave të tjerë që ndodhen në Burgun e Guantanamos. Ende nuk ka reagime nga autoritetet egjiptiane dhe libiane, por në rastin kur Shqipëria pranoi tre ujgurë, kjo shkaktoi pakënaqësi të mëdha tek autoritetet kineze.

Të ardhurit
Ministria e Punëve të Brendshme konfirmoi dje se më datë 23 shkurt 2010, nga qendra e paraburgimit në Guantanamo u transferuan në Shqipëri tre shtetasit e huaj; Saleh Bin Hadi Asasi, me kombësi tuniziane, Sharif Fati Ali al Mishad, me kombësi egjiptiane dhe Abdul Rauf Omar Mohammad Abu Al Qusin, me kombësi libiane. Ministria e Brendshme bën të ditur gjithashtu se këto transferime u bënë në bazë të marrëveshjes individuale midis qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe qeverisë shqiptare. “Dy qeveritë koordinuan midis tyre mbi modalitetet e transferimit dhe angazhohen të vazhdojnë konsultimet në lidhje me trajtimin e këtyre personave”, - thuhet në deklaratën për shtyp nga Ministria e Brendshme. Ky transferim vjen pas angazhimit që ka shprehur qeveria shqiptare për të mbështetur iniciativën e administratës së presidentit Obama për mbylljen e qendrës së Guantanamos dhe transferimin e të paraburgosurve në vende mike dhe të sigurta.

Mbyllja
Presidenti amerikan, Barak Obama, premtoi mbylljen e Burgut të Guantanamos sapo erdhi në krye të Shtëpisë së Bardhë. Shqipëria është ndër të parat vende që pranoi menjëherë kërkesën e SHBA-ve në janar të vitit 2009 për transferimin e të burgosurve nga Guantanamo. Në atë kohë, disa vende të Bashkimit Europian kanë shprehur rezerva për marrjen e këtyre të burgosurve.
Por kjo nuk është hera e parë që Shqipëria strehon të burgosur të Guantanamos. Në vitin 2006 Shqipëria strehoi pesë burra myslimane nga minoranca etnike “ujgur” në Kinën Perëndimore, pasi u arrit në përfundimin se ata nuk përbënin asnjë kërcënim për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo shkaktoi reagime të ashpra në Pekin, ku iu kërkua autoriteteve shqiptare që t’i dorëzojnë këta persona, të cilët kishin probleme edhe në Kinë. Komuniteti ujgur, me popullsi myslimane, është përndjekur vazhdimisht nga autoritetet kineze. Në drejtim të Tiranës zyrtare erdhën edhe ankesa me shkrim nga Pekini, ku u kërkohej që të mos i pranojnë pesë ujgurët. Pas disa kohësh qëndrimi në Shqipëri, një pjesë e tyre u zhvendosen në vende të tjera.
Shqipëria është treguar e gatshme të presë të dënuarit e Burgut famëkeq të Guantanamos, i cili sipas gjasave, do të mbyllet në vitin 2011. Kjo është konsideruar një sfidë për të cilën qeveria shqiptare është treguar e gatshme që të ofrojë bashkëpunimin për aleatin e saj.

TË TRANSFERUARIT

Saleh Bin Hadi Asasi, me kombësi tuniziane
Sharif Fati Ali al Mishad, me kombësi egjiptiane
Abdul Rauf Omar Mohammad Abu Al Qusin, me kombësi libiane

BOX 1
Historia e Guantanamos
Në vitin 1901, presidenti kuban Tomás Estrada Palma nënshkroi marrëveshje për transferimin e një pjese të territorit kuban te qeveria e shteteve të Bashkuara për ndërtimin e bazës detare të Guantanamos. Në periudhën ndërmjet 1903-shit dhe 1958-s, të karakterizuar nga qeveri mike me SHBA-të, u lejua intensifikimi gradual i strukturave ushtarake në Gjirin e Guantanamos, që në vitin 1934, sipas Traktatit ndërmjet Kubës dhe Shteteve të Bashkuara, kishin fituar statusin e portit të anijeve. Në vitin 1976 Kushtetuta e Republikës së Kubës, në nenin 11 thekson: "Ishulli dënon si të paligjshme traktatet dhe paktet që japin me koncesion Guantanamon, pasi kjo gjë zvogëlon sovranitetin dhe integritetin territorial të ishullit. Për këtë arsye, Kuba kërkoi nga Shtetet e Bashkuara kthimin e territorit të Guantanamos”. Më 11 janar 2002, baza detare filloi të përdoret si një burg. Nga atëherë deri sot, 780 njerëz u arrestuan dhe vuajtën dënimin në këtë vend. Amnesty International, si pjesë e fushatës "Më shumë të drejta, më shumë siguri", ka nisur ankesat në mënyrë të përsëritur për të mbyllur Guantanamo. Amnesty ka shkruar edhe disa raporte që dënojnë kushtet e burgimit në Guantanamo, raporti më i fundit është publikuar në prill 2007.

25 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›