Goditet rrjeti i shpërndarësve të drogës, tetë në pranga
Gjatë ditës së djeshme policia organizoi operacionin “Vëzhgimi” që çoi në arrestimin e tetë shëprndarëse dhe pritet që hetimet të zbardhin dhe emrat e furnizuesve të drogës
LEZHË Prej kohësh grupi i të rinjve ishin mbajtur në vëzhgim nga policia e Lezhës, ndërsa ditën e djeshme ata janë kapur në flagrancë në vende të ndryshme të qytetit teksa kanë qenë duke pritur klientët e radhës.
Lezhë
Policia e Lezhës në bashkëpunim me sektorin kundër përdoruesve të lëndëve narkotike dhe trafikimit t saj, ka zhvilluar operacionin e koduar “vëzhgimi” duke vënë në pranga tetë persona të cilët posedonin kanabis sativa të paketuar gati për ta shitur, duke goditur një nga rrjetet shpërndarës të kësaj lënde narkotike kryesisht me veprimin në Lezhë e Shëngjin sidomos gjatë periudhës së verës.
Sipas zëdhënëses së policisë së Lezhës, Elona Nika operacioni për arrestimin e dyshuarve të cilët janë Ergys Çuni 25 vjeç, Besnik Gelani 27 vjeç, Sedin Poçkaj 18 vjeç, E. P 17 vjeç, Mikel Medja21 vjeç, Kristian Doda 19 vjeç, Enlir Capi 19 vjeç si dhe Xhuljo Kaci 18 vjeç që të gjithë nga qyteti i Lezhës është kryer i menjëhershëm në orët e para të mëngjesit, në banesat e të rinjve të cilën u shoqëruan e më pas u arrestuan nga ana e policisë së Lezhës. Sipas burimeve të policisë së këtij rrethi mësohet se strukturat e policisë të cilët merren me hetimine trafikantëve të lëndëve narkotike kishin kohë që kishin rënë në gjurmë të këtij grupi, por vonesa në arrestimin e tyre ka ardhur për faktin që policia kërkoi të dokumentonte trafikun e lëndës narkotike ku për këtë ka përdorur metoda speciale dhe filmime në distancë si dhe foto, ku kapur të tetë të arrestuarit në momentin që ata po shisnin lëndën narkotike të paketuar në pako 2 gramshe. Të tetë të arrestuarit pritet të pasohen edhe nga arrestime të tjera për shkak se policia akoma nuk ka ndaluar pikërisht furnizuesit e tyre me lëndë narkotike, por që pritet që hetimet të gjejë e më pas të arrestojë furnizuesit e të rinjve. Ndërsa grupi funksiononte sipas policisë i organizuar dhe në bashkëpunim me njëri-tjetrin.
Shkodër
Nuk ka pranuar t’i ndalojë policisë, por pas disa minutash ndjekje është kapur prej saj, ndërsa në mjet i është gjetur kanabis sativa. Polica e Shkodrës ka ndaluar Mirjan Ndojin, 20 vjeç, banues ne fshatin Mjedë, Bashkia Laç -Vau i Dejës, rrethi Shkodër. Sipas policisë, ndalimi i tij u bë pasi në bazë të informacioneve të marra, në një pikë kontrolli të ngritur nga forcat e policisë, në fshatin Mjedë, 20-vjeçarit i është kërkuar të ndalojë automjetin e tij tip Fiat Uno me targe KFM 932, por ky shtetas nuk i është bindur urdhrit për ndalim dhe është larguar me shpejtësi. Shërbimet e policisë janë vënë në ndjekje të tij dhe në vendin e quajtur Baxha e Vjetër e Mjedës është bërë e mundur kapja dhe ndalimi i tij. Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin në pronësi të shtetasit Mirjan Ndoj, janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 72 gram lëndë narkotike kannabis sativa.
Të arrestuarit
Ergys Çuni 25 vjeç
Besnik Gelani 27 vjeç
Sedin Poçkaj 18 vjeç
E. P 17 vjeç
Mikel Medja 21 vjeç
Kristian Doda 19 vjeç
Enlir Capi 19 vjeç
Xhuljo Kaci 18 vjeç