Toka afër plazhit të Semanit, mollë sherri mes banorëve
Një pjesë e banorëve kanë në dorë tapitë, ndërsa fshati tjetër ka tokat në përdorim dhe nuk ka asnjë dokument që e vërteton këtë gjë
FIER Rreth 55 ha tokë bujqësore kanë futur në një konflikt disavjeçar dy fshatra të komunës Seman në rrethin Fier. Bëhet fjalë për fshatin Sheq Marinas dhe Topojë Grykë, Ky është dhe rast unikal në Shqipëri, përsa i përket problemeve të shumta e shpesh të pazgjidhura me pronën. Fshatrat janë fqinjë me njëri-tjetrin dhe shtrihen në perëndim të qendrës urbane Fier, në afërsi të plazhit të Semanit.
Konflikti
Përplasja ka nisur qysh në ndarjen e tokës bujqësore me ligjin 7501. Komisioni i ndarjes së tokës në fshatin Sheq Marinas nuk ra dakord me kufizimet e kufijve mes fshatrave, kufizime këto të miratuara edhe nga njësia e qeverisjes vendore të asaj kohe. Prej fshatit u kërkuan kufijtë e vjetër të tij, mbështetur në hipotezat e më të moshuarve. Kërkesa e bërë prej banorëve për kufijtë e vjetër u rrëzua nga komuna. Anëtarët e komisionit pretendonin se toka që i jepej fshatit Topojë Grykë i takonte banorëve të fshatit të tyre. Ndërsa fqinjët, në këtë rast banorët e fshatit Topojë Grykë, ishin futur sipas tyre padrejtësisht në kufijtë e vjetër gjeografikë, duke iu lënë familjeve të fshatit Sheq Marinas, tokë të dobët, të cilën banorët e kësaj zone bregdetare e quajnë ‘Shëllirë”, për shkak të ngarkesës së saj me kripë, dhe pozicionit fare afër detit. Paralelisht me komisionin e ndarjes së tokës të fshatit Grykë, jashtë vijave kufizuese të miratuara nga
Pretendimi
Komisioni i ndarjes së tokës në Sheq Marinas ndau tokën bujqësore në ngastrat 62 dhe 63, ngastra këto që në hartën topografike të komunës i përkasin fshatit Topojë, në një sipërfaqe prej 55 ha, ndërsa fermerët zaptuan këtë sipërfaqe toke.
63 familje të fshatit Sheq Marinas i zunë tokën 56 familjeve të fshatit Topojë Grykë. Por në të njëjtën kohë kjo tokë u nda edhe brenda banoreve të fshatit tjetër Topojë grykë, ndarje e cila u pasqyrua në formularin gjashtë, ndërkohë reforma e kryer nga komisioni i Sheqmarinasit u cilësua e paligjshme. Tashmë njëra palë ka sipërfaqen e tokës në përdorim dhe nuk ka asnjë dokument të akteve të tokës në pronësi, formularin nr 6, ndërsa fermerët e fshatit Topojë Grykë e kanë të pasqyruar këtë tokë në formularin gjashtë, por nuk e posedojnë sipërfaqen e tokës në realitet. Edhe ndërhyrja para disa viteve e organeve të pushtetit që kanë kërkuar ndihmën e policisë për zgjidhjen e konfliktit, shkaktoi protesta masive të banoreve të Sheq Marinasit, që pengojnë rimarrjen e tokës. Disa fermerë u ndaluan në këto protesta, por u lanë të lirë më pas prej policisë. Për këto probleme u çelën edhe dhjetëra çështje në Gjykatën e Shkallës së Parë të rrethit gjyqësor Fier. Por zyra përmbarimore zvarriti pa fund vendimet e gjyqësorit, duke mos vepruar sipas ligjit. Për shuarjen e konfliktit ende të ndezur kanë ndërhyrë deputetë të legjislacioneve të ndryshme deri edhe ish-ministri i Bujqësisë i asaj kohe Rexhep Uka. Në vitin 2002 këshilli i qarkut Fier vuri në dispozicion 55 ha tokë nga ish-NB për zgjidhjen e këtij konflikti. Kërkesa u aprovua nga komisioni i atëhershëm i tokës në këtë qark, por u rrëzua në Komisionin qeveritar.