Vidhet kablloja elektrike në Vlorë, 1 mijë familje e burgu në terr
VLORE - Vidhet sërish kabllo elektrik në Vlorë, 1 mijë familje dhe godina e burgut mbetën pa energji elektrike. Vjedhja është kryer që prej tre ditësh, por ndërmarrja e elektrikut ende nuk ka mundur që të zëvendësojë kabllon. Sipas policisë, persona të paidentifikuar mesnatën e së mërkurës kanë prerë dhe më pas kanë vjedhur rreth 200 metra kabllo elektrik, që furnizonte një bllok banimi të lagjes “29 Nëntori” si dhe burgun e ri. Për pasojë e gjithë kjo zonë ka mbetur në terr. Banorët kanë shkuar në ndërmarrjen e elektrike, por problemi ende nuk ka gjetur zgjidhje. Sipas përfaqësuesve të ndërmarrjes elektrike, vjedhja e kabllove të linjave elektrike është bërë thuajse e përnatshme. Që të zëvendësohet, ndërmarrja elektrike duhet të vërë në dijeni nëpërmjet një kërkese Drejtorinë e Përgjithshme me qendër në Fier. Kjo e fundit miraton zëvendësimin, por procedurat mund të vonojnë me ditë të tëra. Për këtë shkak banorëve u është kërkuar të kontribuojnë vetë, por ata nuk kanë pranuar ta blejnë me paratë e tyre. Vjedhja e kabllove elektrikë në Vlorë është kthyer në një fenomen shqetësues për policinë gjatë gjithë muajve të verës, por deri më tani ende nuk është vënë askush para përgjegjësisë si autor i saj. q.b