LSI krijon grup parlamentar me tre deputetë të PD
Aktualisht në parlament janë formuar vetëm dy grupe të reja parlamentare. Partia Demokratike dhe Partia Lëvizja Socialiste për Integrim janë dy grupet e konstatuara tashmë. Demokratët i kanë ofruar tre deputetë aleatit të ri qeverisës, LSI-së për të formuar grupin parlamentar. Kështu Paulin Sterkaj, Ismail Hoxha dhe Rajmond Hoxha janë deputetët që kanë firmosur për të qenë pjesë e grupit parlamentar të LSI-së. Drejtuesi i saj do të jetë deputeti i Durrësit, Lefter Koka, ndërsa nënkryetar Nasip Naço. Sterkaj do të jetë sekretar i grupit parlamentar. Ndërsa grupi parlamentar i PD-së do të ketë 65 deputetë. Kryetar i saj do të jetë Astrit Patozi, por demokratët nuk kanë vendosur ende se kush do të jenë në postin e nënkryetarit dhe të sekretarit. Në sesionin e kaluar këto poste i ka mbajtur Ilir Bano dhe Aldo Bumçi. Drejtuesit e rinj pritet të zgjidhen në javën e ardhshme. Mbi bazën e Rregullores së Kuvendit, për formimin e grupeve parlamentare nevojiten minimumi 7 deputetëve, por dy partitë Partia Republikane dhe Partia për Drejtësi dhe Integrim, duket se e kanë të vështirë që të formojnë një të tillë, për shkak se kanë vetëm një deputet në Kuvend. Deklarimi i grupit të PD-së me përbërjen e 65 deputetëve, duket si i ka shuar shpresat e dy partive për të formuar ndonjë grup parlamentar të përbashkët. Në këtë legjislaturë parlamentare pritet të ketë 3 nënkryetarë parlamentare. Nasip Naço i LSI-së dhe Ardian Turku i PD-së janë dy zëvendësat e maxhorancës, ndërsa i treti pritet të caktohet nga ana e Partisë Socialiste. Në legjislaturën e kaluar kishte tetë grupe parlamentare, ku pjesa më e madhe ishte krijuar në mënyrë fiktive, duke huazuar deputetë nga partitë e mëdha PD dhe PS.