Goditja e gazetarit, hapet gjyqi për Taçin
Gjykata e Tiranës ka hapur shqyrtimin gjyqësor ndaj të pandehurit Rezart Taçi, i cili akuzohet se ka goditur gazetarin Mero Baze në muajin nëntor të vitit të kaluar, në zonën e ish-Bllokut në Tiranë. Prokurori Gjergji Tako ka lexuar dje kërkesën për gjykim, duke deklaruar se biznesmeni i hidrokarbureve akuzohet për “goditje për shkak të detyrës”. Krahas Taçit, nën akuzë janë edhe Irgen Selfo dhe Bledar Lilo. Prokuroria është bindur se ka qenë pikërisht biznesmeni Rezart Taçi që ka qëlluar mbi gazetarin në një nga lokalet e kryeqytetit. Megjithëse në daljet e tij publike biznesmeni i ka hedhur poshtë këto fakte të denoncuara fill pas ngjarjes. Në kërkesën për gjykim të lexuar dje nga prokurori i çështjes sqarohet se ngjarja ndodhi më 2 nëntor në një lokal në zonën e ish-Bllokut. Sipas prokurorisë, Rezart Taçi, së bashku me Irgen Selfon dhe shoferin e kompanisë, Bledar Lilo, kanë qëlluar mbi gazetarin Baze dhe më pas janë larguar nga vendi i ngjarjes. Akuza vijon se pas një debati me gazetarin Mero Baze, tre agresorët e sulmuan atë të fundit duke e goditur me sende të forta. Prokurori kërkoi dëshmitar të dëmtuarin Mero Baze dhe gazetarët Andi Bushati e Arban Hasani, për të sqaruar ofendimet e ndërsjella mes tyre. Pas leximit të akt-akuzës, avokatët mbrojtjes të biznesmenit të hidrokarbureve, Maks Haxhia dhe Arben Prifti, kërkuan pafajësi për klientin e tyre, duke deklaruar se akuza “goditje për shkak të detyrës” nuk qëndron. Në seancë u kërkuan edhe disa prova të tjera, ndërsa në datën 6 maj do të thirret për të dëshmuar i dëmtuari.
#