Vizat, Meta: Gati të presim monitorues të tjerë. Basha: Mediat i përdori Rama
Qeveria shqiptare ka reaguar dje lidhur me njoftimet e mediave për një vonesë të mundshme nga Bashkimi Europian në liberalizimin e vizave me Shqipërinë. Përmes dy përfaqësuesve që menaxhojnë direkt procesin në fjalë, ministrit të Jashtëm, Ilir Meta, dhe ministrit të Brendshëm, Lulëzim Basha, ekzekutivi ka rikonfirmuar se optimizmi i vet për këtë proces është realist dhe i bazuar në qëndrimet e partnerëve ndërkombëtarë. “Ka një keqpërdorim të disa mediave nga zoti Rama, i cili ka nxjerrë prapë nga sirtari ëndrrën e tij se Shqipëria do të penalizohet. E kundërta është e vërtetë. Presim së shpejti një propozim pozitiv nga Komisioni Europian që do t’i hapë rrugën një vendimmarrjeje pozitive për heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë”, u shpreh dje për mediat ministri i Brendshëm, Lulëzim Basha. Ai ka hedhur poshtë informacionet e shtypit të shkruar duke mos kursyer me këtë rast retorikën standard të akuzës politike. Në një farë mënyre, ministri i Brendshëm e ka lidhur shqetësimin e përditshëm për procesin e liberalizimit të vizave me lojën politike që zhvillohet në Tiranë që sa i përket kësaj çështjeje po konsumon shumë energji. Si argumente për optimizmin e vet, Bashës i shërbejnë jo vetëm deklarimet e zyrtareve të Brukselit, por edhe plotësimi i detyrimeve që kanë të bëjnë me dokumentet e identifikimit. Por një qëndrim disi ndryshe dhe më i rezervuar ka mbërritur nga ministri i Jashtëm, Ilir Meta, i cili ndodhet në Estoni me rastin e takimit informal të ministrave të Jashtëm të NATO-s. Në një intervistë për “Alsat”, përtej premtimit për heqje të vizave këtë vit, ai ka bërë të ditur se qeveria shqiptare është e gatshme të pranojë verifikime shtesë nga Bashkimi Europian. “Unë jam i bindur se Shqipëria i ka plotësuar të gjitha kriteret dhe standardet teknike të të katër blloqeve, por natyrisht që ne do të mirëprisnim edhe çdo verifikim plotësues që do të ishte i nevojshëm. Por kjo absolutisht që në çdo rast, nuk do të ngadalësonte procesin, përkundrazi, do të ecet sipas atij kalendari i cili është bërë i qartë edhe nga partnerët tanë europianë”, deklaroi Ilir Meta. Një garanci politike më shumë për këtë, ai e ka marrë edhe në vizitën transit në Sllovaki ku është takuar me homologun Miroslav Lajcak. Informacionet zyrtare të Ministrisë së Jashtme citojnë këtë të fundit lidhur me një deklaratë shumë inkurajuese për liberalizimin e vizave me vendin tonë. “Z. Lajcak u shpreh se Shqipëria e meriton vendimin për liberalizimin e vizave duke theksuar se ai duhet të merret shumë shpejt. Gjithashtu, z. Lajcak konfirmoi mbështetjen absolute të Sllovakisë për integrimin e shpejtë të të gjithë Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian“, citon zyra e shtypit të Ministrisë së Jashtme, kreun e diplomacisë sllovake.
#