E Shtunë, 31 Tetor 2026

Goditja me thikëMurinjo: S’kam frikëhistori e mbyllur

MADRID- Është kthyer shumë shpejt në një njeri të urryer në Spanjë, aq sa një tifoz i Deportivos ka tentuar ta godasë me thikë në fund të ndeshjes që u luajt javën e shkuar. Sipas asaj që bën të ditur radio “Cadena Ser”, Zhoze Murinjo ka rrezikuar të goditej me thikë një javë më parë, por në vend të tij, thikën e ka marrë një nga pjestarët e sigurisë, i quajtur Eduardo. Ngjarja që ka bërë shumë shpejt xhiron e botës, por vetë trajneri i Realit e ka minimizuar atë në konferencën për shtyp para ndeshjes me Rasing Santander. “Nuk pashë asgjë, nuk ndjeva asgjë. Unë shkova në La Korunja, vajtja në hotel, luajtëm ndeshjen dhe u ktheva në Madrid. Nëse ka ndodhur diçka nuk e kam parë”, deklaroi Murinjo. Në fakt, portugezi është njoftuar vetëm të enjten në mbrëmje nga drejtuesit e klubit se bodigardi që e shoqëronte ka një të çarë prej 4 centimetrash në shpinë, që është plagë e thikës së agresorit. Gjithsesi, Murinjo është shprehur se nuk ka frikë dhe se kjo ngjarje për të është e mbyllur. Ndërkohë, ai ka folur edhe për ndeshjen e së dielës me Santanderin, ku Realit do t’i mungojnë 8 futbollistë titullarë, mes të cilëve Kristiano Ronaldo dhe Rikardo Kaka. Ky i fundit nuk u stërvit me skuadrën përpara këtij takimi dhe sipas Murinjos, është mirë që braziliani të qëndrojë disa ditë pushim. “Mes tij dhe stafit mjekësor është vendosur se është më mirë për futbollistin që të luajë vetëm kur të ndjehet mirë dhe unë jam dakord me këtë. Nuk është pozitive për një skuadër kur një futbollist nuk luan në 100 % të formës”, deklaroi Murinjo. Në lidhje me takimin ndaj Santanderit, tekniku portugez pranoi se Reali nuk do të jetë e njëjta skuadër pa golshënuesin e saj kryesor Kristiano Ronaldo, por sipas tij, madrilenët kanë në përbërje edhe futbollistë të tjerë që mund të bëjnë diferencën.
(balkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›